Nën kujdesin e Caritas-it Dioqezan Sapa, në Katedralen Nënë Tereza në Vau-Dejës u mbajt Koncerti Tradicional i Krishtlindjes, ofruar për besimtarët e mbarë Dioqezës së Sapës.

Ky koncert u shfaq në kuadër të aktiviteteve të shumta që Caritas Sapa ka organizuar gjatë kohës së Ardhjes, dhe jo pa qëllim u mbajt në prag të Krishtlindjes, gjë e cila na ndihmon të hyjmë në atmosferën e gëzueshme të Krishtlindjes. Koncerti u ndoq nga një numër shume i madh besimtarësh, të cilët kishin tejmbushur Katedralen. Kori që priti Papa Françeskun në vizitën e tij në Shqipëri nën drejtimin e mjeshtrit Lukë Mllugja dhe orkestra e Harqeve nën drejtimin e Mjeshtrit z. Anton Kaftalli, interpretuan pjesë muzikore kishtare të autorëve të ndryshëm si shqiptarë ashtu edhe të huaj, të cilat u duartrokiten herë pas herë nga të pranishmit. Surpriza e kësaj nate ishte prania e Artistes së Merituar Znj. Roza Anagnosti, e cila i dha jehonë dhe vlerësim të lartë këtij koncerti, ku përmes interpretimeve të saja të përzgjedhura enkas për këtë natë, solli emocione të jashtëzakonshme tek publiku, që herë pas here edhe e ndërpriste duke e shoqëruar me duartrokitje të zjarrta. 

Artikulli paraprakANNA FOUNDATION ME FËMIJËT E KOPSHTEVE
Artikulli tjetërPRELA: TESTIMI I MINISTRISË KURTH POLITIK I QEVERISË