Kryeministri i vendit, Edi Rama ka folur pasditen e kësaj të enjteje në konferencën e ambasadorëve të vendeve të Bashkimit Europian në vendin tonë, nga ku ka vënë theksin për të disatën herë te nevoja e miratimit të reformës në drejtësi, një reformë që ai e ka cilësuar si strategjike për të ardhmen e vendit.

“Rruga që kemi bërë, pavarësisht arritjeve që mund të numërojmë dhe reformave që mund të listojmë, kushtëzohet nga miratimi i reformës në drejtësi. Një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe padyshim edhe për raportin e vendit tonë me Bashkimin Europian. Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 viteve një angazhim i ngjashëm masiv dhe i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë, sa angazhimi për reformën në drejtësi. Po ashtu ju jeni të parët që e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces, për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE-në, me imazhin, besueshmërinë e Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë strategjikë, dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme. Dua të nënvizoj përpara jush që jemi shumë të vendosur të bëjmë çdo përpjekje deri në minutën e fundit në përputhje me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë. Kjo është një reformë me përmasa të trefishta: së pari sai përket shoqërisë dhe vendit tonë, së dyti për pozicionin dhe këndvështrimin prej të cilit do të perceptohemi nga partnerët tanë strategjikë, por edhe në raport me vet rajonin. Këtu preken edhe interesa me rëndësi të posaçme të komunitetit ndërkombëtar dhe euroatlantik në rajon, pasi është qartësisht e nënvizuar nevoja për të përforcuar lidhjet e Shqipërisë me partnerët”, ka thënë ndër të tjera Rama.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprak“DREJTËSIA”, BERISHA: JO EMËRIME NGA NDËRKOMBËTARËT
Artikulli tjetërRAMA PROPOZIM TË VEÇANTË PËR PARTINË DEMOKRATIKE