Mbledhja e Konferencës së Rektorëve – në fokus e ardhmja e arsimit të lartë
🗓️ Konferenca e Rektorëve zhvilloi mbledhjen e radhës, me një rend dite që përfshinte:
▫️ fjalën e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve, Prof. Dr. Artan Hoxha
▫️ përshëndetjen e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama
▫️ përshëndetjen e Ministres së Arsimit, znj. Mirela Kumbaro Furxhi
▫️ raportimin e veprimtarisë së Konferencës së Rektorëve për vitin 2025
▫️ diskutimin mbi ndryshimet në Ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”
📜 Sipas Kryeministrit, koha për rivizatimin apo rishikimin e Ligjit nr. 80/2015 për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor është brenda vitit 2026, tashmë pas një përvoje 10-vjeçare në zbatim. Tashmë puna për këtë proces ka nisur.
🌍 Në vëmendje të veçantë ishte ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, përmes rregullimeve ligjore që do të mundësojnë dhe lehtësojnë programet e përbashkëta, të dyfishta dhe të shumëfishta, si dhe aplikimet për to.
🏛️ Çështja kryesore e ngritur ishte riorganizimi institucional i IAL-ve, duke riparë hartën e universiteteve shqiptare, me Universitetin e Tiranës si epiqendër, sipas Kryeministrit. Ai theksoi se jo të gjitha IAL-të do të mund ta kalojnë filtrin e akreditimit institucional dhe se është e domosdoshme racionalizimi i burimeve dhe kapaciteteve, në funksion të një sistemi më kompetitiv.
🏗️ U diskutua gjithashtu për përmirësime infrastrukturore dhe investime, ku u përmend kampusi i UT-së dhe zhvillimi i mëtejshëm i UAMD-së.
🔥 Pas largimit të Kryeministrit, në prani të ministres së Arsimit, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por të mbështetur në argumente, përsëriti kërkesën për ndërtimin e Kampusit të USH-së, duke e cilësuar atë si të vetmin pol të dijes për veriun dhe verilindjen e vendit.
📍 U theksua se kjo kërkesë është bërë në mënyrë të vazhdueshme gjatë 15 muajve të fundit, si një nevojë urgjente për Shkodrën dhe rajonin e veriut, në funksion të politikave më të balancuara zhvillimore dhe krijimit të mundësive që të rinjtë të qëndrojnë dhe të studiojnë në Shqipëri.
🏥 Rektori Gjuraj i kërkoi ministres së Arsimit dhe, përmes saj, qeverisë shqiptare, që të shqyrtojë seriozisht ngritjen e Kampusit të USH-së, ose alternativisht kalimin në pronësi të universitetit të godinave të ish-Spitalit Neuro-Psikiatrik apo ish-Sanatoriumit.
🔜 U bë e ditur se në muajin shkurt, Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Kumbaro Furxhi, së bashku me rektorët e IAL-ve shqiptare, do të mblidhen për të diskutuar riorganizimin institucional të universiteteve dhe profilizimin e tyre rajonal.

Artikulli paraprakSHKRUMBOHET NGA FLAKËT RESTORANTI TURISTIK “LUMI I JETËS” NË DAJÇ
Artikulli tjetërAUTOBUSI PËRPLASET ME NJË TREN NË HAMBURG, NJË I VDEKUR DHE DHJETË TË PLAGOSUR