
Që prej datës 16, në Tiranë po zhvillohet Konferenca e 28-të e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut (A-5), konferencë që do të përfundojnë më 18 shtator.
Ditën e sotme pjesë e tryezës ka qenë dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka theksuar vendosmërinë e Shqipërisë për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare me qëllim arritjen e qëllimeve të përbashkëta.
Ndër të tjera, Vengu ka bërë me dije se përparimin që vendi ynë ka bërë në fushën e investimeve ushtarake për të arritur një infrastrukturë të njëjtë me kriteret e NATO-s.
Fjala e plotë e Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu:
Gjeneralë të nderuar të Shteteve të Bashkuara, të Iniciativës së Kartës së Adriatikut dhe miqve tanë nga Garda Kombëtare e Shteteve të Bashkuara.
Mirëserdhët edhe njëherë në Shqipëri ambasadorë të dashur, zyrtarë në të gjitha gradat dhe përgjegjësitë tuaja.
Është nder që të mirëpresim edhe një herë për vitin e dytë radhazi, këtë radhë duke pranuar që vjen si pasojë e mungesës së konsensusit midis vendeve anëtare, megjithatë, besoj kjo duhet theksuar, bazuar në temperaturën e rajonit.
Më lejoni t’ju them me besim që në Shqipëri do të gjeni gjithmonë një ndërtues konsensusi dhe një partner të besueshëm në ndjekjen e qëllimeve tona të përbashkëta.
Karta e Adriatikut ka lindur nga një vizion bashkëpunimi, stabiliteti dhe fati të përbashkët euroatlantik, parimet e saj mbeten të pandryshuara, por në mjedis strategjik që ndryshon me shpejtësi, ne duhet të përshtatemi dhe të ripërtërijmë misionin e saj.
Për Shqipërinë, Karta nuk është thjesht një iniciativë tjetër rajonale, pasi kemi shumë, por është një nxitës i bashkëpunimit praktik dhe qëndrueshmërisë kolektive, siç pata edhe mundësinë ta theksoja edhe ditën e djeshme. Pjesëmarrja e Shteteve të Bashkuara e bën atë një iniciativë shumë të rëndësishme.
Vendimet e marra në Samitin e Hagës na japin një mundësi unike për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi për sigurinë tonë rajonale dhe për të marrë përsipër më shumë përgjegjësi brenda NATO-s dhe BE-së.
Për të mbetur të rëndësishëm dhe të besueshëm do të veprojmë me vendosmëri në pesë fusha kyçe:
1. Rritja e burimeve financiare për buxhetet tona të mbrojtjes,
2. Zgjerim i industrisë së mbrojtjes dhe prodhimit ushtarak,
3. Fitim aftësish vdekjeprurëse dhe me përdorim të dyfishtë për të modernizuar Forcat tona të Armatosura.
4. Investim në infrastrukturën kritike dhe kapacitetin e vendeve pritëse për të përforcuar qëndrueshmërinë dhe
5. Forcimi i ndërveprimit me aleatët dhe partnerët përmes trajnimeve, stërvitjeve dhe operacioneve.
Shqipëria po ecën me vendosmëri në këtë rrugë duke rritur Shpenzimet e Mbrojtjes, duke rigjallëruar bazat tona industriale, duke investuar në infrastrukturë në përputhje me kriteret e NATO-s dhe BE-së.
Qëllimi ynë është ta pozicionojmë Shqipërinë si një qendër të besueshme për Industrinë e Mbrojtjes, një qendër kryqëzimi, lidhshmërie dhe ndërveprimi ushtarak, lëvizshmërie ushtarake në të gjithë Evropën Juglindore, në rajonin e Adriatikut, në një hapësirë me rëndësi të pamohueshme strategjike për sigurinë euro-atlantike.
Në këtë kontekst besojmë se NATO dhe BE duhet të mbështesin vendosmërinë politike, vigjilencën strategjike dhe angazhimin ushtarak në rajonin tonë.
Shqipëria mbetet e përkushtuar, ndaj pajtimi i stabilitetit dhe bashkëpunimit dhe kjo është arsyeja sepse rreth 500 trupat në misionet tona të NATO-s dhe të BE-së janë të dislokuara në KFOR, në ALTEA, ndërsa kontributet tona në Letoni dhe Bullgari sinjalizojnë se ne i marrim seriozisht edhe kërcënimet në krahun lindor.
Sa i përket Ukrainës ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë politike, do të vazhdojmë kontributet tona ushtarake në Interflex, NSATU dhe JATEC.






