
Rritja e kapaciteteve dhe dixhitalizimi i Policisë së Shtetit janë prioritete për të forcuar luftën ndaj krimit. Në fjalën e tij në Konferencën e 42-të të FBINAA European Chapter në Tiranë, ministri i Brendshëm Ervin Demo theksoi se në luftën ndaj krimit s’ka vend për pushim.
Ai shprehu dëshirën për forcimin e bashkëpunimit me FBI dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese
“Në luftën kundër krimit nuk ka vend për pushim dhe vetëkënaqësi. Duhet të bëjmë edhe më shumë, edhe më mirë. Policia e Shtetit, prokuroria, SPAK, institucionet e drejtësisë janë pjesë e një arkitekture bashkëpunimi. Uroj të vendosim një gur të mëtejshëm themeli në këtë takim. Eksperienca e FBI ka një vlerë të pazëvëndësueshme. Rritja e kapaciteteve tona është prioritet. Dixhitalizimi i Policisë së Shtetit është prioritet. Ky vit shënon 10 vit nga miratimi i reformës në drejtësi, shumë është bërë gjatë këtyre viteve, por kemi ende rrugë përpara.- tha Demo.
Kreu i SPAK, Klodian Braho, u shpreh se Prokuroria e Posaçme është gjithnjë e gatshme për të bashkëpunuar me ndërkombëtarët.
“Bashkëpunimi ndërkombëtar ka pasur rol të rëndësishëm. Për SPAK-un bashkëpunimi përfshin edhe përgjegjësinë për të kontribuar në hetimet e partnerëve. Një informacion në Shqipëri mund të ndihmojë në zbardhjen e një çështjeje. Falënderoj partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin që ndajnë me ne”, tha Braho.
Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela bëri thirrje për strategji të reja sa më parë, si rrjedhojë e krimit kibernetik dhe zhvillimit të teknologjisë.


