Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, qytete të tjera të vendit dhe në diasporë, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit, respektimit të pronës private dhe dialogut mes qytetarëve dhe politikës.
Në deklaratën e saj, Konferenca shprehet se zhvillimi i vendit duhet të marrë në konsideratë mbrojtjen e zonave natyrore dhe të drejtat e komuniteteve lokale, veçanërisht në rastet kur projektet e zhvillimit prekin territore të mbrojtura ose zona ku ekzistojnë problematika të pronësisë.
Duke iu referuar enciklikës “Laudato Si’” të Papa Françeskut, Ipeshkvijtë theksojnë se projektet me ndikim në mjedis duhet t’i nënshtrohen proceseve transparente, konsultimit publik dhe debatit të hapur, duke shmangur çdo formë korrupsioni apo mungese informimi.
Sipas tyre, pjesëmarrja e komuniteteve lokale dhe institucioneve që merren me mbrojtjen e mjedisit është e domosdoshme për një zhvillim integral që vendos në qendër njeriun, nevojat dhe të drejtat e tij.
Konferenca Ipeshkvnore vëren gjithashtu se protestat e ditëve të fundit kanë nxjerrë në pah një pakënaqësi më të gjerë ndaj sistemit politik aktual. Në deklaratë theksohet se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht në konsideratë nga të gjitha palët politike.
“Kisha nuk ka për detyrë të gjejë zgjidhje politike, por të orientojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të lexohet”, thuhet në deklaratë.
Ipeshkvijtë u bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë që të zgjedhin rrugën e dialogut dhe të ofrojnë përgjigje konkrete ndaj shqetësimeve të qytetarëve, veçanërisht të rinjve, të cilët përballen me sfida që lidhen me mungesën e perspektivës dhe emigrimin.
Në përfundim, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë lutet për popullin shqiptar dhe për gjetjen e zgjidhjeve përmes dialogut politik dhe shoqëror, në përputhje me parimet demokratike dhe aspiratën e vendit për integrim evropian.

Artikulli paraprakDHUNIMI I DREJTORIT TË AKU-SË NË SHKODËR, ARRESTOHET NJË PREJ AUTORËVE
Artikulli tjetërDHUNA NDAJ DREJTORIT TË AKU SHKODËR, NJË I ARRESTUAR