
Në një atmosferë të ngarkuar me emocion dhe reflektim, Shoqata Nejat organizoi një konferencë kulturore dhe sensibilizuese me fokus mbi të drejtat e njeriut dhe realitetin e izolimit në kampin Ashraf 3. Aktiviteti, i cili u zhvillua me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut, u kthye në një tribunë të fuqishme për të folur mbi një çështje që shpesh anashkalohet: izolimin dhe kontrollin psikologjik ndaj individëve të përfshirë në organizatën MEK.
Konferenca u drejtua nga Ela Deda, punonjëse sociale. Me profesionalizëm dhe ndjeshmëri, ajo krijoi një hapësirë të hapur për dëshmi, diskutim dhe solidaritet, duke theksuar rëndësinë e ndërhyrjes sociale dhe institucionale përballë këtij fenomeni.
Kulmin e aktivitetit e shënoi fjalimi rrëqethës i Khalil Anserian, ish-anëtar i MEK, i cili ndau me publikun një dëshmi personale prekëse mbi jetën brenda kampit. Ai foli pa filtra për manipulimin mendor, kontrollin e përhershëm dhe mungesën e kontaktit me botën e jashtme. Rrëfimi i tij shkaktoi emocione të forta mes të pranishmëve dhe theksoi urgjencën për ndërgjegjësim dhe veprim konkret.
Mes të pranishmëve u veçuan edhe aktivistja Etleva Sulollari dhe psikologia Amarilda Dika, të cilat shtuan dimensionin profesional dhe emocional të ngjarjes. Sulollari kërkoi reagim të shpejtë të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, ndërsa Dika solli në vëmendje ndikimin afatgjatë psikologjik që izolimi i zgjatur shkakton te individët dhe familjarët e tyre.
Një moment veçanërisht prekës ishte përfshirja e familjarëve të të izoluarve në kampin Ashraf 3, të cilët përmes lidhjeve direkte dhe mesazheve të regjistruara shpërfaqën dhimbjen dhe shpresën e tyre. Ata bënë një thirrje të qartë: të kenë të drejtën të komunikojnë me të afërmit e tyre, pas dekadash ndarjeje të detyruar.
Aktivistja Shpresa Blaçeri, e njohur për angazhimin e saj në çështje sociale dhe të drejtave të njeriut, doli fuqishëm në mbështetje të personave të izoluar dhe familjeve të tyre. Ajo kërkoi me vendosmëri sensibilizim publik dhe ndërhyrje institucionale, duke theksuar se indiferenca ndaj kësaj çështjeje është bashkëfajësi në vuajtjen e qindra personave që nuk kanë asnjë mundësi kontakti me familjarët e tyre prej më shumë se 35 vitesh.
Konferenca e Shoqatës Nejat nuk ishte thjesht një ngjarje kulturore, por një akt ndërgjegjeje kolektive. Një thirrje për të mos heshtur përballë shkeljes së dinjitetit njerëzor dhe për të ndërtuar ura solidariteti me ata që kërkojnë më të thjeshtën dhe më njerëzoren: lirinë dhe kontaktin me familjen.