Pas 10 vitesh pa marrë pjesë që nga koha kur Vllaznia drejtohej nga ish-presidenti valter Fushaj, kuqeblutë do të rikthehen sërish në kompeticionet Europiane. Kështu Vllaznia do të marrë pjesë në Konferencë League dhe tashmë shkodranët kanë njohur edhe kundërshtarët në përballjen e parë. Në Nion të Zvicrës u hodh edhe shorti për tri ekipet shqiptare, Vllazninë, Laçin dhe Partizanin.

Në këtë mënyrë pas shortit të hedhur Vllaznia ka patur edhe pak fat pasi do të luaj përballë Shiroki Brijeg të Bosnje Hercegovinës, një kundërshtar më i lehtë se nga ekipet e tjera me të cilat mund të përballej Vllaznia në këtë sfidë të parë të Konferencë League.

Pavarësisht kësaj shkodranët do ta vlerësojnë maksimalisht këtë kundërshtar dhe do të vijojë menjëherë puna për të studiuar skuadrën boshnjake në mënyrë që kuqeblutë të kalojnë në turin tjetër të Konferencë League. Shiroki Brijeg duket një skuadër e lehtë por sa i përket buxhetit e ka disa herë më të madh se Vllaznia.

Ndeshja e parë do të jetë më 8 korrik në Bosnje Hercegovinë dhe më pas përballja e dytë pas një jave në Shkodër. Ndërkohë skuadra tjetër shqiptare e Laçit do të luaj ndaj Podgoricës së Malit të Zi. Partizani ka peshkuar skuadrën moldave të Sfintul Geroge, me ndeshjen e parë që do të zhvillohet jashtë, ndërsa e kthimit në Shqipëri.

Goglat kanë rezervuar edhe dy derbi shqiptarësh. Shkupi i Maqedonisë së Veriut sfidon Llapin e Kosovës, ndërsa Deçiç i Tuzit në Malin e Zi dhe Drita e Kosovës përballen mes tyre. Ndërkohë Struga e Maqedonisë së Veriut do të luaj ndaj letonezëve të Liepaja.

Ndeshjet do të zhvillohen në datat 8 dhe 15 korrik ndërsa në total në Konferencë League duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë 8 ekipe shqiptare që marrin pjesë.