Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti tashmë e kanë vendosur. Partitë në pushtet LSDM dhe BDI do të garojnë së bashku në zgjedhjet lokale që do të zhvillohen në vjeshtë. Marrëveshja nënkupton mbështetjen e ndërsjellë në disa komuna që në raundin e parë, ndërsa në disa të tjera në raundin e dytë.

“Kisha takim të shkëlqyeshëm me partnerin e koalicionit dhe kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti. U morëm vesh që LSDM-ja dhe BDI-ja të marrim pjesë bashkë në zgjedhjet lokale”, tha lideri i socialdemokratëve Zoran Zaev. Kryeministri ka potencuar se qëllimi i përbashkët i LSDM-së dhe BDI-së është që në bashkëpunimin parazgjedhor të kyçen sa më shumë parti nga koalicioni qeverisës.

“Në vijim janë procedurat për zgjedhjen e kandidatëve më të mirë, ata do të jenë personalitete të cilët guxojnë dhe të cilët janë të përgatitur të japin rezultatin më të mirë për qytetarët në çdo qytet, në çdo fshat, në çdo lagje”, u shpreh Zaev.

Kujtojmë se në Maqedoni ka mosmarrëveshje edhe për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Opozita atje kërkon datën 17 tetor. Opozita shqiptare është e gatshme për zgjedhje në cilëndo datë të tetorit, por thotë se pas kërkesës për shtyrje të zgjedhjeve fshihet frika nga euforia e regjistrimit të popullsisë.

Ndërkohë që partia shqiptare në pushtet, BDI shprehet se cilado datë e zgjedhjeve është e pranueshme.