Rasti i parë zyrtar me linë e majmunëve është konfirmuar në Greqi.

Lajmin e ka bërë me dije Organizmi Kombëtar i Shëndetit EODY me një njoftim të fundit.Rasti është raportuar në spitalin “Andreas Syggros” dhe bëhet fjalë për një person që së fundmi kishte udhëtuar drejt Portugalisë.

Testi fillestar i kryer në Laboratorin Qendror të Shëndetit Publik ka rezultuar pozitiv, ndërsa rezultatet priten edhe nga Laboratori i Mikrobiologjisë i Shkollës së Mjekësisë të Universitetit Aristotelis të Selanikut për konfirmimin gjenomik të virusit të lisë së majmunit. Pacienti ndodhet në spital në gjendje të qëndrueshme.

“Sipas të dhënave epidemiologjike të disponueshme deri tani, rreziku për popullatën e përgjithshme është ende i ulët, pasi sëmundja është zakonisht e lehtë dhe vetëkufizuese dhe karakterizohet nga transmetueshmëri relativisht e ulët”, thekson gjithashtu në njoftimin e tij Organizmi Kombëtar i Shëndetit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) konfirmoi të dielën 780 raste të lisë së majmunëve në 27 vende të botës.

Shifrat e fundit nuk llogarisin infeksionet në vendet afrikane ku virusi konsiderohet endemik.

Megjithatë, zyrtarët paralajmëruan se rreziku i shëndetit publik “mund të bëhet i lartë nëse ky virus shfrytëzon mundësinë për t’u vendosur në vendet jo-endemike si një patogjen i përhapur njerëzor”.

Lija e majmunëve konsiderohet një sëmundje më pak e rëndë në krahasim me linë, e cila u zhduk në vitin 1980.Patogjeni transmetohet nga një personi në një person tjetër përmes kontaktit të ngushtë fizik.

Simptomat zakonisht zhduken brenda disa javësh, por herë pas here mund të çojnë në komplikime dhe vdekje në raste shumë të rralla.Askush nuk ka vdekur në mesin e 780 rasteve të raportuara.

Megjithatë, deri më tani këtë vit, 66 persona kanë vdekur në pesë vende afrikane me shkaqe që lidhen me linë e majmunëve.Rikujtojmë se në Kosovë deri më tani ka vetëm dyshime për një rast të lisë së majmunëve, rast ky që është dërguar për testim jashtë vendit.

Artikulli paraprakPËRDORIMI I INTERNETIT NGA CELULARËT ARRITI REKORD TË RI NË TREMUJORIN E PARË
Artikulli tjetërZELENSKY: FATI I DONBASIT PO VENDOSET NË SEVERODONETSK