Zvicra ka bërë me dije se ka mbyllur përkohësisht ambasadën e saj në Teheran për shkak të përshkallëzimit të përleshjeve mes Izraelit dhe Iranit. Të gjithë punonjësit diplomatikë janë evakuuar me sukses dhe ndodhen jashtë rrezikut.

“Për shkak të situatës së tensionuar në Iran, Zvicra ka vendosur të mbyllë përkohësisht ambasadën në Teheran. Stafi është evakuuar dhe është në gjendje të sigurt,” njoftoi Departamenti Federal Zviceran i Punëve të Jashtme (FDFA).

Pavarësisht kësaj mase, Zvicra konfirmoi se do të vazhdojë të përfaqësojë interesat e Shteteve të Bashkuara në Iran, në kuadër të mandatit të saj si fuqi mbrojtëse. FDFA bëri thirrje për rifillimin e menjëhershëm të dialogut dhe angazhim diplomatik për uljen e tensioneve. “Zvicra mbetet e përkushtuar për përfaqësimin e interesave amerikane në Iran. Kërkohet me urgjencë rikthimi te dialogu,” theksoi FDFA. Përplasjet nisën të premten e kaluar, kur Izraeli ndërmori sulme ajrore ndaj objektivave iraniane, përfshirë impiante ushtarake dhe bërthamore. Irani reagoi menjëherë me raketa të lëshuara drejt territorit izraelit. Sipas burimeve mediatike iraniane, të paktën 639 persona kanë humbur jetën dhe mbi 1.300 janë plagosur nga sulmet izraelite. Ndërkohë, autoritetet izraelite raportojnë 25 të vdekur dhe qindra të plagosur nga kundërsulmet iraniane.

Artikulli paraprakKORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE DHE MINISTRIA E FINANCAVE E MBRETËRISË SË SPANJËS FIRMOSIN MEMORANDUM
Artikulli tjetërMATURA SHTETËRORE/ DALIN REZULTATET E PROVIMIT TË GJUHËS SHQIPE DHE LETËRSISË