Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka nisur vizitën e tij 1 ditore në Tiranë, ku është pritur fillimisht nga homologu i tij, Gramoz Ruçi. Ky i fundit në fjalën e tij të përbashkët për mediat tha se Shqipëria mbështet Kosovës e cila është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia që po “glorifikon kriminelët e saj”.

Nga ana tjetër, Konjufca tha se nuk mjafton që Kosova dhe Shqipëria të jenë fqinjët të mira, por që të jenë një komb i vetëm dhe kjo të materializohet edhe në politikat e saj.

Gjatë vizitës së tij, kryeparlamentari Konjufca do të takohet me presidentin Ilir Meta dhe në fund me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo është vizita e parë zyrtare e Glauk Konjufcës jashtë vendit që prej momenti kur ka marrë postin e kreut të parlamentit kosovar.

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, marrëdhëniet shumë të mira mes dy shteteve si Shqipëria dhe Kosova nuk mjaftojnë pasi këto marrëdhënie duhet të jenë në një nivel tjetër pasi bëhet fjalë për 2 vende të një kombi të vetëm.

“Ne po e vazhdojmë traditën e mirë të shtetit tonë që vizitën e parë të kreut të KUvendit të Kosovës e bën në republikën e Shqipërisë. Ne kemi interesa të njëjta sepse jemi një komb, ndaj unë mendoj se të tillë duhet t’i kemi edhe politikat.

Ne diskutuam për nevojën e thellimit të bashkëpunimit në disa fusha. Unë mendoj se bashkëpunimi duhet të ngrihet në një nivel tjetër, jo si dy vende fqinje të mira por si dy vende që konstituojnë një komb të vetëm”, tha Konjufca.

Duke cekur çështjen e gjyqit të ish-drejtuesve të UÇK në Hagë, Konjufca tha se lufta e shenjtë e shqiptarëve në Kosovë ishte e gjithë kombit ndaj duhet të mbrohetr nga të gjithë.

“Lufta jonë e shenjtë, e drejtë dhe e pastër e UÇK-së ka qenë edhe e gjithë kombit shqiptar. Prandaj si e tillë duhet të mbrohet nga të gjithë”, tha ai.

Në konferencën e përbashkët për mediat, kreu i Kuvendit, Gramor Ruçi ka vënë theksin se Kosova është në anën e duhur të historisë, në ndryshim nga Serbia duke fajësuar këtë të fundit se po “glorifikon kriminelët e luftës”.

“Serbia ka kryer gjenocid, ajo ka kryer krime kundër njerëzimit dhe krime luftë, ka fshehur kriminel dhe që nuk ka bashkëpunuar me Hagën dhe sot përpiqet që të glorifikojë kriminelët e vet që i ka mbrojtur dhe fshehur. Kosova është në anën e duhur të historisë dhe ka mbështetjen tonë”, tha ndër të tjera Ruçi.

Artikulli paraprakVRASJA, SHOQJA E VIKTIMES: AJO E NDIHMONTE, AI I MORI JETEN
Artikulli tjetërELSON ÇELIKU JEP DOREHEQJEN NGA POSTI I DREJTORIT TE DREJTORISE SE TRANSPORTIT RRUGOR PER RAJONIN E VERIUT