Policia e Lezhës ka shtuar kontrollet në zonën turistike të Shëngjinit për monitorimin e nivelit të zhurmave, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe qetësisë publike gjatë sezonit veror.

Sipas Policisë, krahas kontrolleve në terren, janë zhvilluar edhe takime sensibilizuese me administratorë biznesesh dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve shoqërohet me përdorimin e muzikës, me qëllim informimin mbi detyrimet ligjore për respektimin e nivelit të lejuar të zhurmës.Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë, kanë kryer kontrolle të vazhdueshme në zonat e identifikuara me ndotje akustike. Gjatë këtyre kontrolleve janë përdorur matës të posaçëm për të verifikuar nivelin e zhurmës në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në përputhje me parashikimet e ligjit për administrimin e zhurmës në mjedis. Sipas rezultateve të matjeve të kryera, niveli i zhurmës në subjektet e kontrolluara ka rezultuar brenda kufijve të lejuar nga legjislacioni në fuqi.Njëkohësisht, efektivët e Policisë kanë verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura, i cili në zonat e banuara është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.Policia e Lezhës bën të ditur se kontrollet dhe monitorimi do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me synim garantimin e qetësisë për banorët dhe pushuesit që frekuentojnë bregdetin e Shëngjinit.Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo rast të shkeljes së rregullave për ndotjen akustike ose cenimin e rendit publik, ndërsa Policia garanton reagim të menjëhershëm dhe veprim në përputhje me ligjin.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakNIS PUNA PËR QENDRËN TURISTIKE NË SHKODËR
Artikulli tjetërSEZONI VEROR SJELL TRAFIK NË HYRJE TË QYTETIT