KONTROLLET PAS BLLOKIMIT TË RRUGËS DHE OFENDIMIT TË EFEKTIVËVE.

Reagimi i Policisë Shkodër për incidentin në Malësi të Madhe.

Policia e Shkodrës hedh poshtë deklaratat e Partisë Demokratike, për ushtrim dhune ndaj aktivistëve të saj. Lidhur me incidentin e ndodhur dje, pas takimit elektoral të PD-së në Malësinë e Madhe, sqarojmë se: Në datë 09.05.2015 ora 15:30, Dega e Partisë Demokratike e Rrethit Malësi e Madhe njoftoi për zhvillim e një  takimi në orën 17.00 ku do të bëhej prezantimi i Kanditatit për Kryetar Bashkie i këtij Subjekti Politik.  Me gjithë kohën e limituar, nga ana e Policisë u hartua Plani i Masave për zhvillimin normal të takimit. Pas përfundimit të aktivitetit dhe largimit të Kryetarit të PD-së, z. Lulzim BASHA, mbështetësit e kandidatit, për rreth 20 minuta mbajtën të bllokuar qendrën e qytetit të Koplikut. Rreth orës 18:00, shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj ofenduan me shprehje fyese punonjësit e Policisë, të cilët ndodheshin në detyrë.  Në këtë moment, shtetasit e mësipërm kanë goditur me grusht punonjësin e policisë për shkak të detyrës S.K. Për këtë veprim punonjësi i Policisë ka bërë kallëzim pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Policia shpalli në kërkim shtetasit Fabian Popaj dhe Emirjon Hasaj. Rreth orës 21:00 u ushtrua kontroll në banesat e tyre, por ata nuk gjendeshin në to. Po punohet për kapjen dhe shoqërimin e tyre për veprime të mëtejshme. Shtetasi Emirjon Hasaj është proceduar edhe në 27 mars 2015, nga Prokuroria e Shkodrës për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”. Policia është e vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë, si edhe aktivitetin elektoral të çdo subjekti politik.

Artikulli paraprakFAMILJA RROKU APEL PËR NDIHMË
Artikulli tjetërMEMÇAJ: NË VITET 90’ GJYKATA KALOI SHUMË VËSHTIRËSI