Covid-19 po bëhet më i thjeshtë për t’u kapur nga personat, thotë një studim i ri në SHBA. Ekspertët besojnë se virusi po pëson mutacione, pasi studiuan një mostër prej 5,000 sekuencash gjenetike të infeksionit.

Studimi nuk thoshte nese sëmundja po bëhej më vrasëse por shtonte se viruset pësojnë rregullisht mutacione të vogla dhe më rallë mutacione të konsiderueshme.

David Morens, virolog i Institutit kombëtar amerikan të alergjisë e sëmundjeve infektive, tha se zbulimet e studimit nuk duhet të interpretohen më shumë sesa duhet: “Të gjitha këto gjëra janë barriera ndaj transmetimit apo infektimit, por teksa virusi bëhet më ngjitës statistikisht ai bëhet më i aftë për t’i shmangur këto barriera”.

Morens shton se një vaksinë e mundshme duhet të modifikohet çdo vit për të goditur variantet e ndryshueshme të Covid-19.

Kreu i autoriteteve amerikane të shëndetësisë Robert Redfield tha dje në një komision të senatit se vaksinimi pritet të nisë brenda disa muajve, me objektivin që shumica e amerikanëve të jetë vaksinuar deri në korrik të vitit që vjen.

Ai tha se 700 milionë doza pritet të jenë të gatshme në prill ose maj, që mjaftojnë për rreth 350 milionë njerëz.

Ka disa vaksina në fazat e fundit të testimeve në SHBA, duke përfshirë kompani si Pfizer, Moderna e Johnson & Johnson. Numri i infeksioneve të koronavirusit në SHBA kaloi dje 7 milionë , rreth 20% shifrës botërore. SHBA sapo ka kaluar 200,000 vdekje nga koronavirusi.