I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, për të diskutuar rreth temës së veriut.

Bislimi ka njoftuar se është arritur një marrëveshje sa i përket targave.

“Kemi tentuar të detyrojmë Serbinë që ti largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që të lëvizin drejt Serbisë. Dhe mendoj qe ky ka qenë rezultati i sot, mund të themi që është një marrëveshje.

Natyrisht që ne do të preferonim që mos të ketë asnjë barrierë dhe këto dy shtete sot të njohin në tërësi tabelat e vendeve tjera, ky do jetë edhe objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor.

Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me veturat që kanë targa (KM – për Mitrovicën e Veriut), për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhet të aplikoheshin stikersat, dhe mendoj që kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale”, u shpreh Bislimi në një lidhje direkte për RTK.