NË JAVËN E ARDHSHME, ISA MUSTAFA DO TË PREZANTOJË KABINETIN.Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është në përfundim të përzgjedhjes së stafit të kabinetit qeveritar. Kreut të ekzekutivit kosovar i është dashur më shumë se një muaj që të përcaktojë këshilltarët dhe pjesën tjetër të stafit me të cilët do të punojë.

Në mungesë të kabinetit dhe zëdhënësit të qeverisë, ende askush nuk ka dalë para medieve të tregojë rreth punës së qeverisë. kryeministri Mustafa do të paraqitet në fillim të javës së ardhshme në një konferencë për shtyp për të prezantuar kabinetin e tij.  Deri atëherë, Mustafa do të mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për të vendosur për emrat e zëvendësministrave, por edhe për këshilltarët e ministrave. Në partinë e Mustafës mësohet se janë rreth 700 kandidatë të propozuar nga degët e LDK-së për t’u emëruar zëvendësministra apo këshilltarë, ndërkohë që partisë në fjalë, sipas marrëveshjes, i takojnë 19 zëvendësministra dhe rreth 70 këshilltarë ministrash. Një pjesë tjetër e zyrtarëve të LDK-së pritet të emërohen nëpër bordet e agjencive të pavarura dhe institucione të tjera publike. Po ashtu, për të përmbyllur kabinetin qeveritar Mustafa do të takohet edhe me partnerin e tij nga PDK, Hashim Thaçin, i cili do t’i paraqesë emrat e zëvendësministrave të PDK-së. Sipas marrëveshjes për bashkëqeverisje, PDK dhe LDK do të kenë nga një zëvendësministër në secilën ministri, ndërkohë që në ministritë e udhëhequra nga minoritetet, përveç zëvendësministrave nga PDK e LDK do të ketë edhe zëvendësministra të tretë nga partitë minoritare.

Artikulli paraprak“VIT TË MBARË O SHKODËR”
Artikulli tjetërMERR FUND TRAGJEDIA NË FRANCË