SOT, KOSOVA NJIHET NGA 108 SHTETEVE DHE ËSHTË E ANËTARËSUAR NË BB, FMN DHE BERZH. Kosova feston sot shtatë vjetorin e pavarësisë. Më 17 shkurt të vitit 2008

në një seancë solemne Kosova u shpall shtet i pavarur që deri në atë kohë administrohej nga UNMIK-u, një strukturë e Kombeve të Bashkuara. Sot, Kosova njihet nga 108 shteteve dhe është e anëtarësuar në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por ende Kosova nuk është njohur nga 5 vende të Bashkimit Europian dhe Rusia është pengesa që të jetë anëtar i Kombeve të Bashkaura. Për të kapërcyer këto probleme, Bashkimi Evropian ka nisur një dialog mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilit po përpiqet të gjejë një normalizim mes dyja vendeve, si hapi i parë që më pas edhe vendet që nuk e njohin atë si shtet të zbusin pozicionet e tyre. Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama përmes një telegrami ka uruar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga. Krijimi i shtetit të Kosovës, është vlerësuar se i ka dhënë një dimension të ri paqes e stabilitetit në rajon. Por 7 vite nga shpallja e Pavarësisë, Kosova po përballet në muajt e fundit me ikjen e kosovarëve për shkak të gjëndjes ekonomike dhe mosbesimit tek qeveria e Prishtinës. Vetëm gjatë këtij viti dhjetëra mija qytetarë të Kosovës janë larguar nga vendi, duke iu drejtuar shteteve të Bashkimit Evropian.