Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez deklaroi në Tiranë se qëndrimi i Spanjës për njohjen e Kosovës nuk ndryshon. Sanchez tha se mendimi i tij është se është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi. Megjithatë ai theksoi se nxit dialogun dhe afrimin me BE-në.

“Mendojmë që është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi, dhe këtë e themi me gjithë respektin për popullin shqiptar. Është një opinion që nuk e ndajmë me qeverinë shqiptare. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk e nxisim dialogun me Prishtinën për t’u afruar me BE-në. Ky është pozicioni i qeverisë së Spanjës. Edhe miqtë e mirë mund të kenë kontradikta”, deklaroi Sanchez.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se i mbështet 100% qeverinë dhe autoritetet e Kosovës që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet.

“Ju jeni në të drejtën tuaj të nxirrni konkluzione ekstreme (gazetares). Unë jam në të drejtën time të them që e kundërta është e drejtë. Ngjarja e ndjeshme pasqyrë e vështirësisë së thellë në këtë marrëdhënie. Ushtrimi i sovranitetit në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës bazuar në marrëveshje ne dakordësuar mes Kosovës e Serbisë në Bruksel lidhur me temën që është bërë shkak i këtij acarimi, nuk është një drejtë vetëm, por detyrë e institucioneve të Kosovës.

Në këtë pikë i mbështes 100% qeverinë dhe autoritetet e Kosovës që kërkojnë që marrëveshja të zbatohet. Ashtu sikundër i përgëzoj autoritetet në Kosovë për sensin e vetëpërmbajtjes dhe për dëgjimin e aleatëve që sugjeruan një shtyrje 30 ditore, jo për të ndryshuar marrëveshjen, por për t’i dhënë kohë kohës që të sqarohet çfarë duhet”, tha Rama.

Ai u shpreh më tej se këto situata nuk tregojnë që Ballkani i Hapur është i panevojshëm, apo është i gabuar.

“Këto situata nuk tregojnë që qasja jonë ndaj Serbisë dhe politika e afrimit dhe dialogut është e gabuar. Këto situata tregojnë pikërisht pse ne kemi nevojë për këtë. Këto situata tregojnë pikërisht pse duhet Ballkani i Hapur dhe pse Kosova duhet të vijë dhe të ulet në Ballkanin e Hapur. Këto situata tregojnë që ka dy rrugë, rruga e kthimit mbrapa dhe luftës nga e cila nuk fiton më askush dhe rruga tjetër është ndërtimi i paqes. Unë jam me të parën dhe as mos prisni që unë të kem një opinion tjetër.

Me presidentin e Serbisë marrëdhënia miqësore nuk më pengon të ndahem aty ku nuk jemi dakord. Spanja ka arsyet e veta që ta lexojë ashtu siç e lexon marrëdhënien me Kosovën. Kjo nuk e pengon Spanjën që ne jemi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Kjo nuk është një shprehje mosrespekti për mënyrën se si ne shqiptarët e shohim këtë çështje”, tha Rama.

Artikulli paraprakRAMA REAGON PËR HERË TË PARË PËR SITUATËN NË VERI: KOSOVA KA TË DREJTË TË MBROJË SOVRANITETIN TERRITORIAL
Artikulli tjetërLUFTA ME ZJARRET/ RAMA-KRYEBASHKIAKËVE: MERRNI MASAT, MBROJTJA CIVILE ËSHTË DETYRIM EDHE I JUAJI