
Tetori rezultoi me një rritje 19.3 për qind të hyrjes së të huajve në Shqipëri duke sinjalizuar për një rigjallërim të turizmit në vjeshtë duket se ata që kanë “shpëtuar” realisht turizmin janë shqiptarët e Kosovës. Shifrat e hyrjes sipas shteteve tregojnë se hyrjet nga Kosova ishin 306 mijë me një rritje 60 për qind në raport me tetorin 2024. Përtej një rikthimi të turizmit patriotik në normalitet, në vjeshtë, ajo që duket se ka luajtur një rol jo të vogël në këtë shifër është edhe mbajtja në Tiranë e aktiviteteve të lidhura me Kosovën.
Në datë 17 tetor u mbajt një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po përballen me një proces gjyqësor në Gjykatën e Hagës. Kjo solli në Tiranë mijëra shtetas nga Kosova që ishin të pranishëm në sheshin ku u mbajt protesta. Kosova mban aktualisht 33.7 për qind të totalit të hyrjes së të huajve në vendin tonë duke mbetur kryesorja sa i takon prurjeve turistike.
Në vend të dytë kanë vijuar të mbeten italianët të cilët pas një zbehjeje që treguan në muajt e verës duket se janë rikthyer me rritje. Tuorperatorët tregojnë se rritja e çmimeve gjatë verës e bëri bregdetin shqiptar jo shumë tërheqës për këta turistë ndërkohë që ushqimi autentik dhe i lirë nxit turet kulturore në disa qytete, Agroturizmet dhe jeta dinamike e natës në Tiranë i ka kthyer ata në turistë që po preferojnë Shqipërinë në çdo stinë.
Konkretisht në tetor në vendin tonë hynë 98.7 mijë italianë me një rritje 14.2 për qind në raport me tetorin e një viti më parë. Italianët mbajnë një peshë prej 10.9 për qind të totalit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë.






