Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur dy aktakuza pranë dy gjykatave të ndryshme, atë Themelore të Mitrovicës dhe atë Themelore të Prishtinës, për dy persona të akuzuar për “bashkim apo pjesëmarrje në ushtrinë ose policinë e huaj”.

Të akuzuarit janë shtetasit B. Q. nga Mitrovica dhe K. P. nga Lipjani. Sipas aktakuzës, i pandehuri nga Mitrovica ka bërë propagandë në lidhje me organizatën terroriste ISIS me anë të postimeve audiovizuale dhe fotografive në rrjetin social Facebook, duke i përkrahur veprimet terroriste të tyre nëpër botë, e duke bërë thirrje myslimanëve që t’i bashkohen “luftës së shenjtë për xhihad”. Madje, qytetari nga Mitrovica ka shpërndarë edhe foto kërcënuese në Facebook në nëntor të vitit 2017. Edhe i pandehuri tjetër nga Lipjani, sipas aktakuzës në të njëjtat rrethana ka propaganduar në mbështetje të ISIS-it.

Që të dy ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të “bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj”, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, të parashikuara nga neni 3 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-002, për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.