
Një efektiv i policisë së Kosovës është vrarë me armë zjarri teksa po hynte në banesën e tij. Sipas policisë ngjarja ndodhi pak para mesnate në rrugën “Idriz Seferi”, Kaçanik.
Oficeri i policisë, Muhamed Lika, nuk mundi të mbijetonte pas plagëve të marra. Ndërkohë autori është ende në kërkim.
“Më 01.04.2025, rreth orës 23:00, kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.Viktima është një pjesëtar i Policisë së Kosovës”, tha zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Policia vijon me hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa ende nuk ka informacione lidhur me të dyshuarit apo motivet e mundshme të këtij akti kriminal.