Raportuesja e Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon njoftoi shtyrjen e vendimit, i cili pritej të merrej në mesin e korrikut në Komitetin për Çështjet e Brendshme.
Shkak është bërë mosratifikimi i marrëveshjes për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi nga ana e Parlamentit të Kosovës, pasi kjo çështje prej shumë kohësh ka sjellë debate, protesta dhe dhunë në Prishtinë. Eurodeputetja kërkon që Parlamenti i Kosovës ta ratifikojë këtë marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, madje para pushimeve të verës. Kjo pasi, vetëm kështu, në vjeshtë do të nisë edhe procesi i votimit në institucionet e Bashkimit Europian për heqjen e vizave, pas rekomandimit që ka dhënë Komisioni Europian. Brukseli thotë se “topi” ndodhet tashmë në “fushën” e Parlamentit të Kosovës. “Kjo do të ishte një lëvizje jetike për të gjithë qytetarët e Kosovës, që ndodhen ende prapa kufijve të mbyllur”, thekson Fajon, e cila u ka bërë thirrje të gjithë “politikanëve përgjegjës të Kosovës që të bëjnë këtë hap përfundimtar dhe të hapin derën për lëvizjen pa viza”. Si raportuese, ajo garanton se do të bëjë çdo gjë për të siguruar një votim pozitiv në Parlamentin Europian. Për qeverinë në Prishtinë, kjo shtyrje ishte e pritshme për aq kohë sa kushti i Brukselit për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi nuk është plotësuar. Ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku i bëri thirrje opozitës që të votojë marrëveshjen. Por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj fajëson qeverinë se ka bërë “Pazar” me Malin e Zi. Sipas tij, pakti për kufirin duhet të rishikohet.