Kosovë-Serbi, Haradinaj nga Franca: Jo bisedime pa kushte Kosovë-Serbi

 

Takimi i planifikuar për në datën 25 janar mes dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel, ka zemëruar Ramush Haradinajn. Nga Franca, ku ndodhet në liri me kusht, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës sulmon me një status në “Facebook” gatishmërinë e Kosovës për të biseduar, pa i vënë kushte Serbisë. Ai i quan “kukulla të Serbisë”, kryeministrin Mustafa dhe presidentin Thaci. “Të ulesh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, me murin, trenin dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd dhe të mos e përfaqësosh popullin”, shkruan Haradinaj. Kryeministri Mustafa dhe ai serb Vuçiç do të takohen të mërkurën në Bruksel, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, por takimi është i pari pas tensioneve të fundit, që shkaktoi nisja e trenit me parulla nacionaliste serbe nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut.