Kotzias: Ja kushtet që do t’i vejë Shqipërisë Samiti i Dhjetorit. “Tensionet Athinë-Tiranë komplikojnë anëtarësimin”

Sipas Ministrit të Jashtëm Grek Samiti i Dhjetorit i liderëve të Bashkimit Europian do vendosë disa kushte që Shqipëria duhet t’i zbatojë për të marrë një datë në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim. Nikos Kotzias nënvizoi se tensionet Athinë-Tiranë komplikojnë anëtarësimin e Shqipërisë. Ministri i Jashtëm Grek, Nikos Kotzias, ka parashikuar se Samiti i Dhjetorit i liderëve të Bashkimit Europian do të theksojë një sërë kushtesh që Shqipëria duhet të zbatojë para se të marrë një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Në një intervistë për radion greke Alpha, të dielën, Kotzias ka theksuar se ai personalisht e don Shqipërinë në BE, pse sipas tij, në këtë mënyrë Shqipëria do të jetë një fqinj më i mirë. “Do të shikoni edhe në vendimet e samitit, pas 20 ditësh, se do të nënvizohet nevoja që shqiptarët të sillen me ne si fqinj të mirë”, ka deklaruar Kotzias në intervistë. I pyetur për shembjen e banesave në Himarë dhe për simbolikën, që sipas gazearit përmban ky veprim, Kotzias është përgjigjur: “Banesat nuk janë shembur ende”. Dhe ka shtuar: “Do të shikoni se në konkluzionet e samitit të BE në 15-16 Dhjetor që do të kenë të bëjnë me perspektivën e Shqipërisë, do të përfshihet edhe detyrimi që të mos preket e drejta mbi pronën e qytetarëve shqiptarë, rrjedhimisht edhe të minoritetit autokton grek”. Por Kotzias thotë se do të ketë edhe kushte të tjera: “Do të kërkohet luftimi i krimit të organizuar dhe posaçërisht droga, do të përfshihet nevoja e reformës administrative dhe veçanërisht reformimi i sistemit gjyqësor”. Duke folur për marrëdhëniet me Shqipërinë, ministri i jashtëm greke ka vënë në dukje se ka një sërë problemesh, që janë mbledhur në një paketë, në një përpjekje për t’i zgjidhur para se të fillojnë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në BE. “Me ekzistencën e këtyre problemeve, procesi i anëtarësimit do të komplikohet. Shpresoj që shqiptarët, tashmë do të përgjigjen më shumë dhe më mirë nga sa më parë”, ka theksuar Kotzias. Ministri i jashtëm grek është pyetur edhe për deklaratat e kohëve të fundit nga Tirana që sipas palës greke kanë tensionuar situatën. Shefi i diplomacisë greke edhe një herë i ka shpjeguar këto deklarata me faktin e qenies së PDIU në koalicionin qeveritar. “Në qeveria merr pjesë e ashtuquajtura parti e çamëve dhe kjo parti siç e kam vënë në dukje shumë herë, iu është rikthyer nacionalizmave ekstremë dhe miteve të mëdha sa i përket realitetit për këtë pjesë të popullsisë shqiptare”, ka deklaruar ministri i jashtëm grek, Nikos Kotzias.