Zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj ka informuar për mediat se tashmë procesi zgjedhor ka marrë hovin përfundimtar dhe është gati për ditën e dielë.

Sipas saj, shumica e fazave të përgatitjes janë përmbyllur dhe siguron se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë sipas parashikimeve.

Materialet zgjedhore do të shpërndahen në 92 KZAZ-të e vendit nga mjetet e ushtrisë dhe do të ruhen nga ato deri në ditën e votimit më 25 prill. Shpërndarja nisi nga vendgrumbullimi i materialeve zgjedhore në Lundër drejt 8 qarqeve të vendit, ku sot do të çohen për KZAZ-të e Vlorës, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Dibrës, Beratit, Fierit dhe Kukësit. Ndërsa ditën e nesërme do të shpërndahen për 4 qarqe të tjera, atë të Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Lezhës.

Shpërndarja ka nisur në mënyrë që ditën e diel, më 25 prill gjithçka të jetë gati për zgjedhjet, ku qytetarët do të hedhin votën e tyre dhe do të vendosin për qeverinë e re në 4 vitet e ardhshme.

Gjithashtu përveç fletëve normale të votimit, KQZ ka printuar edhe fletët e veçanta për të verbrit që do të votojnë, në alfabetin Brail. Për zgjedhjet e 25 prillit janë pintuar 3.660.647 fletë votimi, që do të shpërndahen në të gjitha qendrat e votimit që janë 5199 në të gjithë vendin.

Zgjedhjet e 25 prillit do të monitorohen nga 65 ekipe vëzhgimi nga OSBE/ODIHR dhe 50 ekipe nga BE në të gjithë vendin, të cilat do të shohin nga afër si qendrat e votimit dhe procesin e numërimit në lidhje me mbarëvajtjen e tyre.

Gjithashtu duke nisur nga dita e nesërme, të 72 institucionet në vend që gëzojnë statusin e objekteve të rëndësisë së veçantë do të merren në mbrojtje nga forcat e ushtrisë, në kuadër të masave shtesë për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku

përfshihen godina e Kryeministrisë, të gjitha dikastereve të ministrive, selitë diplomatike me rëndësi në kryeqytet, duke filluar nga godina e Ambasadës Amerikane, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, Gjykata e Posaçme dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Në kuadër të masave për zgjedhjet do të angazhohen në të gjithë vendin edhe efektivë të Policisë së Shtetit në QV dhe KZAZ.