
Në katedralen e “Shën Shtjefnit” në Shkodër është mbajtur mesha e vigjiljes me rastin e festës së “Zojës së Shkodrës”, pajtores së qytetit. Para besimtarëve të shumtë të mbledhur për këtë ditë të shenjtë, arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, përcolli një mesazh të fortë shpirtëror dhe shoqëror.
Në fjalën e tij, ai u ndal te domethënia e lutjes, duke theksuar se Zoti e di gjithmonë se çfarë kemi nevojë, por shpesh na jep edhe më shumë sesa kërkojmë. “Lutja nuk është për të ndryshuar mendjen e Zotit, por sepse lutja na ndryshon neve”, tha ndër të tjera Imzot Peragine.
Në përfundim të meshës, nuk munguan fishekzjarrët dhe një koncert i përgatitur nga të rinjtë e famullisë, duke e kthyer festën e “Zojës së Shkodrës” në një moment reflektimi, gëzimi dhe bashkimi.
Por në meshën solemne të festës, arqipeshkvi u ndal edhe te realiteti i përditshëm që po përjeton qyteti. Duke marrë shkas nga ngjarjet e fundit kriminale, Imzot Peragine tha se dhuna po plagos strukturën e komunitetit dhe po krijon frikë e pasiguri tek qytetarët. Ai paralajmëroi se ekziston rreziku që shoqëria të mësohet me këtë kulturë dhune, duke e pranuar si të pashmangshme.






