Krerët e shtetit kanë shprehur ngushëllime për vrasjen në krye të detyrës të nënkomisarit Simon Gjeta.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta duke e cilësuar Gjetën një hero, thotë se lufta pa kompromis me kriminelët do të vazhdojë dhe shteti do të triumfojë për t’i garantuar rendin qytetarëve. Për të arritur këtë qëllim thotë Meta, dhe për të shmangur përsëritjen e të tilla ngjarjeve, duhet angazhimi i të gjithëve për të çuar para drejtësisë çdo shkelës të ligjit.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani në mesazhin e tij të ngushëllimit është kujdesur t’i japë zemër efektivëve të policisë që ngjarje të tilla tronditëse të mos ndalin hovin e tyre në luftën e përditshme kundër krimit.

Me përulje e respekt para veprës së efektivit Simon Gjeta, Kryeministri Edi Rama shprehu bindjen se gjaku i dëshmorëve të Policisë së Shtetit do të plazmojë ndjenjën e lartë të detyrës dhe shpirtin e sakrificës të çdo shqiptari që ka veshur uniformën blu. Ndërsa ngushëllon familjarët dhe kolegët e nënkomisarit, kreu i qeverisë shpreh angazhimin “për t’i shkuar deri në fund përpjekjeve shtetndërtuese, në radhë të parë për sundimin e ligjit në Shqipëri”

“Kolegët e tu bënë drejtësi ndaj dorës kriminale që të mori jetën” – Kështu shkruan ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri në një status në rrjetin social Facebook, duke ju referuar ekzekutimit të personit që i mori jetën në krye të detyrës efektivit Gjeta. “Prehu në paqe Simon! Të ndrittë shpirti përjetësisht!”, – shkruan Tahiri.