
Në kuadrin e ditëve të fushatës kundër dhunës ndaj grave, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me një letër krerëve të Drejtësisë dhe Policisë për zbatimin e legjislacionit kundër dhunës ndaj grave e vajzave. Letra u është drejtuar krerëve më të lartë të institucioneve të drejtësisë dhe policisë së shtetit në të cilën thuhet: “Kuvendi i Shqipërisë, në dhjetor të vitit 2017, ka miratuar Rezolutën “Për dënimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave dhe rritjen e efektshmërisë së mekanizmave ligjore për parandalimin e tij”.
Në vitet e fundit, në vendin tonë, ka pasur zhvillime pozitive lidhur me hartimin ose përmirësimin e legjislacionit kundër dhunës në familje, që kanë përmirësuar ndjeshëm mënyrën se si i trajtojnë institucionet rastet e dhunës kundër grave dhe vajzave dhe dhunën në familje.
Por, pavarësisht zhvillimeve pozitive, të dhënat për rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, tregojnë se dhuna është ende e pranishme dhe shfaqet në forma të ndryshme deri tek më ekstremet, ku më së shumti viktima janë gratë dhe fëmijët.
Dobësitë më të mëdha që prekin mekanizmat e referimit kanë të bëjnë me mungesën e zbatimit të duhur të urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes nga përmbarimi, përgjigjet e papërshtatshme nga sistemi i gjykatave dhe një përfshirje e pamjaftueshme e profesionistëve të shëndetit, përfshirë këtu mjekët ligjorë.
Kuvendi i Shqipërisë vëren se sistemi i drejtësisë si policia, prokuroria, gjykatat, shërbimet sociale në sistemin e drejtësisë penale nuk ka qenë efektiv sa duhet lidhur me hetimin dhe shqyrtimin e rasteve të dhunës në familje dhe të zbatimit të drejtë të dispozitave ligjore të Kodit Penal për dënimin e dhunuesve dhe ofrimin e shërbimeve për viktimat.
Gjykatat duhet të jenë në një linjë me qëndrimin e vendosur të ligjvënësit kundër dhunës dhe të ofrojnë një reagim të fuqishëm, duke përfshirë edhe ndëshkimet. Kjo do të nxiste raportimin e mëtejshëm të rasteve të dhunës në familje.
Ndonëse ka një përmirësim të qartë në respektimin e afateve të gjykimit të kërkesave për lëshimin e urdhëra të mbrojtjes, ende shtyhen në mënyrë të panevojshme seancat gjyqësore për vërtetimin dhe lëshimin e tyre. Kërkoj nga ana juaj të merrni masat e nevojshme për zbatimin rigoroz të dispozitave të Kodit Penal mbi dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave.”, shkruan në letrën e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.






