Pas hedhjes së votës për kryetarin e ri të LSI-së, Ilir Meta, kreu historik i kësaj force politike, ka vlerësuar procesin zgjedhor brenda partisë, duke theksuar se kjo dëshmon edhe njëherë hapjen e kësaj force.

E rëndësishme për Metën është pjesëmarrja dhe diversiteti në këto zgjedhje, pasi këto do të kontribuojnë për vizionin e duhur mbi të ardhmen e vendit. “Ky është një proces shumë pozitiv, që do të çlirojë energji shumë të mëdha për LSI-në, sepse konfirmon një hapje të LSI-së dhe një angazhim për të avancuar në një stad më të ri, përmes kësaj pjesëmarrjeje, kësaj vote dhe kësaj atmosfere pozitive. Diversiteti ka qëllimin e përbashkët që LSI të ketë vizionin e duhur për të ardhmen e vendit dhe një organizim e funksionim shumë më të mirë cilësor e përfaqësues për të realizuar këtë vizion. Ajo që keni parë dhe do të shihni deri në fund të procesit, shpresoj që të jetë një moment i ri i një gare edhe më të rëndësishme përpara. Rëndësi për mua ka mbarëvajtja e procesit dhe shkalla e pjesëmarrjes. Sot LSI-ja duhet të tregojë një shkallë të lartë motivimi, ndaj i ftoj të gjithë të marrin pjesë në këtë proces. Rritja e anëtarësisë tregon se aq më e qetë dhe më e sigurtë është Shqipëria dhe e ardhmja europiane e saj”, u shpreh ndër të tjera Meta. I pyetur nëse do të merren në konsideratë kërkesat e dy rivalëve të tij në këtë garë, sikur ndonjëri prej tyre të arrijë mbi 10 për qind të mbështetjes në parti, Meta theksoi: “Ne do të kemi në konsideratë jo vetëm kërkesat e çdo kandidati, por edhe të çdo anëtari. Do të presim rezultatin dhe duke qenë se të gjithë jemi pjesë e LSI-së, angazhimi i të gjithëve synon përmirësimin e kësaj partie. Pavarësisht kërkesave të kandidatëve të tjerë, LSI-ja duhet të kuptojë edhe më mirë se çfarë mund të përmirësojmë në të ardhmen e vendit. Sot për sot zgjedhim kreun dhe delegatët, ndërsa për zgjedhjet e përgjithshme dhe koalicionet kemi mbledhjen e Konventës në dhjetor”.