
Kreu i SPAK Altin Dumani po raporton punën e vitit 2024 në KLP. Në KLP kanë mbërritur edhe përfaqësues të ambasadës amerikane si edhe një prokuror i OPDAT.
Në nisje të fjalës së tij, Dumani falenderoi KLP për reagimin ndaj sulmeve kundrejt SPAK.
“I vetmi institucion që ka reaguar në mbrojtje të SPAK me ngjarjet që jemi ballafaqur në 2024, por edhe gjatë 2025. Pavarësisht sfidave s’e kemi ndaluar punën duke shënuar arritje në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.”, tha Dumani.
Gjatë raportimit në KLP, Altin Dumani tha se SPAK ka hetuar gjatë vitit 2024 një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë.
“Sa i takon luftës kundër korrupsionit, janë hetuar një numër i konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë 2024, janë nën hetim 33 ish zyrtarë të lartë, dy prej tyre në dy procedime të ndryshme, Nga këto, 19 janë dërguar për gjykim në gjykatë duke përfaqësuar 52.9% të rasteve. Në vitin 2024, janë 10 funksionarë të lartë publikë për të cilët ka pasur vendime të formës së prerë. Nga ana tjetër, numri i personave të dërguar në gjykatë përbën rreth 35.2% të totalit të individëve në hetim.
Hetimet e vitit 2024, tregojnë se korrupsioni i zyrtarëve të lartë zhvillohet me skema të sofistikuara dhe faktorë si ndikimi institucional, përfshirja e rrjeteve kriminale dhe pastrimi i parave. Rritje ka shënuar edhe numri i procedimeve për veprën penale për pastrim parash, rritje me 34%, krahasuar me vitin paraardhës, rritje në masën 34% ndërkohë që krahasuar me 2021 këto procedime janë trefishuar. Gjatë 2024, konstatohen 132 hetime të filluara me kallëzime nga individë dhe institucione. Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së publikut te institucioni i Prokurorisë së Posaçme.”, tha Dumani.