Shpesh herë ka dyshime të forta se krime të rënda që ndodhin në Shqipëri të kryer me profesionalizëm të lartë realizohen nga ish-komando apo ish-ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë të cilët kanë një nivel ekspert të përgatitjes. Komandanti i repartit ushtarak të Vau Dejësit Ali Mali pranon se mund të ketë raste kur ish-komando të dalë në lirim nga Forcat e Armatosura për një sërë arsyesh bëhen pjesë e grupeve kriminale duke qenë një shqetësim për ushtrinë shqiptare. Ajo që kërkohet është që qeveritë shqiptare ta shohin me vëmendje këtë pjesë dhe të gjenden mënyra për punësimin në strukturat shtetërore të ish-komandove dhe ish-ushtarakëve në mënyrë që të mos bëhen pjesë e grupeve kriminale.

A është shqetësuese për ushtrinë që ish-komando apo ish-ushtarak të ndryshëm shpesh herë bëhen pjesë e grupeve kriminale, duke kryer vrasje me pagesë?

Normalisht si në çdo vend edhe në ushtri një pjesë e kontigjentit i cili përfundon kontratën në Forcat e Armatosura zgjedh që të mos shërbejë më në FA dhe ai kalon në jetën civile dhe ka pasur disa raste sporadike që personi që dikur ka shërbyer në forcën e armatosur mund të jetë bërë edhe kontigjent që i ka rënë ndesh ligjit. Normalisht që nuk na vjen mirë por si gjithkund është e paevitueshme. Mirë është që personeli që i shërben Forcave të Armatosura që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë, që i ka kushtuar një pjesë të jetës, që i ka shërbyer sidomos Forcave Komando që janë elita e ushtrisë që kanë kryer disa misione paqëruajtese të vështira, misione luftarake, qoftë në Afganistan, qoftë në Irak, nuk është mirë që të bëhen kontigjent i krimit dhe mendoj që në të ardhmen të ketë sa më pak raste të tilla.

A vjen kjo nga joshja me shuma të mëdha parash që mund të ofrojnë grupet kriminale?

Nuk di të them se çfarë u ofron pjesa tjetër por mbase dhe kjo qëndron që ofrimi i shumave të mëdha të parave ndikon edhe tek këto individ që gjithsesi e theksoj që këto nuk janë pjesë e Forcave të Armatosura por që kanë dalë në lirim nga FA.

A duhet të shihet me një vëmendje më të shtuar kjo pjesë në mënyrë që ish ushtarakët të jetojnë me dinjitet pa patur nevojë të jenë pjesë e krimit të organizuar?

Normalisht që kjo duhet që të shihet me shumë vëmendje nga qeveritë, nga shoqëria civile pasi duhet që të ketë një vëmendje më të shtuar ndaj ushtarakëve që dalin në rezervë, që dalin në lirim pasi ata për disa arsye qoftë edhe karriere mund ta ndërpresin karrierën për efekt të gradës, mund ta ndërpresin për efekt të moshës dhe duhet një vëmendje e shtuar që këto ushtarakë për të kërkuar mirëqënien e tyre, për të kërkuar të ardhurat e tyre, t’i afrohen institucioneve të shtetit që ata edhe pse nuk mund të shërbejnë në Forcat e Armatosura mund të shërbejnë në struktura të ndryshme të shtetit që këto njerëz të devotshëm që i kanë dhënë Shqipërisë, i kanë dhënë atdheut të mos bëhen kontigjent i krimit por të afrohen në institucione shtetërore.

Kjo është një kulturë e pëgjithshme që duhet të zhvillohet. Kohët e fundit me sa di unë është zhvilluar. Ne kemi patur disa ish-prefektë ish-ushtarakë, disa drejtorë burgjesh ish-ushtarakë apo edhe në emergjencat civile. Gjithsesi duhet shtrirë edhe në nivela të ulëta që edhe ushtari apo nënoficeri që ndërpret karrierën në Forcat e Armatosura të afrohet dhe të shërbejë në strukturat e shtetit ose në strukturat private me qëllim që të marrë një pagë dinjitoze dhe të mos bëhet kontigjent i krimit.

Artikulli paraprakMËNGJESI NIS ME KTHJELLIME, “KTHESË” E MOTIT GJATË PASDITES
Artikulli tjetërMINISTRJA E FINANCAVE: NË 2022 RRITJA EKONOMIKE KA QENË 4.84%