Gjatë ditës së sotme në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Aida Hajnaj ka zhvilluar një takim me homologen e saj Drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë Greke, Zaharoula Tsirigoti, ku kanë diskutuar çështje që kanë të bëjnë me bashkëpunimin e ngushtë midis dy Drejtorive të Kufirit, patrullimet e sinkronizuara të shërbimeve policore me qëllim parandalimin, zbulimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale ndërkufitare.

Në fjalën e saj Drejtoresha e Kufirit dhe Migracionit, Drejtuese e Lartë Aida Hajnaj ka shprehur mirënjohjen e saj dhe ka falënderuar homologen për bashkëpunimin e mirë, ndihmën dhe mbështetjen që i kanë dhënë Policisë Kufitare Shqiptare. Gjithashtu ajo theksoi se forcimi i bashkëpunimit midis Drejtorive lokale të Kufirit ka për qëllim shkëmbimin e informacionit dhe objektivin e vetëm që është parandalimi dhe goditja e krimit ndërkufitar.

Gjithashtu homologia e saj Greke ka nënvizuar masat e marra në luftën kundër krimit të organizuar në rajonet kufitare. Ajo nënvizoi se Patrullimi i përbashkët dhe shkëmbimi i informacioneve që bëhet ndërmjet dy shërbimeve policore, ka sjellë rezultate pozitive në arrestimin e personave njëkohësisht dhe në sekuestrimin e lëndëve narkotike.