Policia e Vlorës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur një muaj më parë, kur nëna bashkë me djalin u gjetën të vrarë dhe të djegur në banesë. 73-vjeçarja Salke Hoxhallari dhe djali i saj 43 vjeçar, Olsi Hoxhallari.

Njoftimi:

Vihen në pranga dy autorët e vrasjes, sekuestrohet edhe arma e ftohtë me të cilën dyshohet së është kryer krimi!

Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, finalizuan operacionin e koduar “Devijimi”, ku është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në muajin Janar 2018 në lagjen “24 Maji” Vlorë.

Ky operacion erdhi si rezultat i punës profesionale të pandërprerë, duke vlerësuar maksimalisht informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor, të cilat çuan në dokumentimin me prova ligjore të autorësisë së vrasjes së dyfishtë dhe të djegies së trupave të dy shtetasve, nënë e bir.

Hetimet intensive nisën menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në muajin janar, ku u gjetën të pajetë e të djegur në banesën e tyre shtetasi O.H. dhe nëna e tij shtetasja S.H., pasi nga grupi hetimor u krijua bindja se nuk kishim të bënim me një ngjarje aksidentale, por me një vrasje.

Si rezultat i operacionit u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve:

Hysnie Hoxhallari, 32 vjeçe, banuese në Vlorë.

Kasëm Pirjasi, 26 vjeç, banues në Strum, Fier.

Të dy shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë dhunuar e më pas kanë vrarë shtetasit O.H., e S.H., si dhe kanë shkaktuar zjarr në banesë me qëllim fshehjen e provave duke synuar për ta devijuar ngjarjen si “aksidentale”.

Në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar arma e ftohtë me të cilën dyshohet se është kryer krimi (mjet prerës i fortë prej metali).

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim”, e parashikuar nga nenet 79/dh dhe 25 të Kodit Penal.

Policia e Vlorës, shprehet e vendosur të godasë me Forcën e Ligjit çdo akt, grup kriminal apo paligjshmëri, dhe në këtë kuadër fton qytetarët dhe mediat në bashkëpunim, me qëllim krijimin e një ambjenti sa më të sigurt për të gjithë.

Artikulli paraprakITALI, BANERA SHOKUES KUNDËR MATTEO RENZIT: “DO VDESË” MË 4 MARS
Artikulli tjetër‘UNË JAM PAUL WALKER’, VJEN DOKUMENTARI MBI JETËN E AKTORIT TË NJOHUR