
Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës ndaj kreut të Bashkisë Vau i Dejës, Kristian Shkreli, ndaj të cilit SPAK i ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje, i dyshuar se u bëri rrjet elektrik banorëve të zonës në këmbim të votës për PSD.
Në gjyq kanë dëshmuar një tjetër pjesë e 27 dëshmitarëve të thirrur nga SPAK për këtë proces gjyqësor. Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar rrëzimin e deklaratave të dëshmitarëve në gjykatë pasi nuk përkojnë me ato të regjistruara gjatë hetimeve paraprake.
Seanca e radhës u caktua më 19 maj, ora 15:00, pasi prokurorisë i duhet kohë për prova shkresore.
SPAK nisi hetimin ndaj Kristjan Shkrelit më 20 mars, rreth një muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, pas një materiali të referuar nga Policia e Shtetit dhe një kallëzimi të një punonjësi të bashkisë, të cilat u bashkuan në një procedim të vetëm penal.


