Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ftuar në emision “Zonë e Lirë”, foli për krizën energjetike.

Ai tha se pritet që kriza të zgjasë deri në qershor të vitit 2022, ku do të rekalsohet gjendja, por çmimet sipas tij nuk do të jenë të njëjta me ato para se kriza të niste.

Sakaq, Rama tha se duhet të përgatitemi që për një situatë të rëndë dhe marrja e borxhit sipas tij në këtë moment, nuk do të ishte një gjë e mirë.

“Mos furnizimi i nevojës së rritur me energji si rezultat i rikthimit të pandemisë me më shumë gaz. Rusia nuk po shton prodhimin me gaz dhe mos shtimi i prodhimit sjell këtë kaos. Kjo është një ndër arsyet, nuk është e vetmja. Po të shohim në të gjithë botën ringritja ekonomike është e fortë dhe nevoja e prodhimit janë të rritura. Kjo ka sjellë të gjithë këtë situatë. Ajo që ne dëgjojmë nga qeveritë mike, është që parashikimi është që kjo krizë në fazën e vet agresive do të zgjasë deri në qershorin e vitit të ardhshëm.

Por parashikohen që çmimet do të relaksohen, por s’do të jenë aq sa ishin para krizës. Është situatë e rëndë realisht. Për ne është katërfishuar çmimi. Ne nuk jemi në kushtet që t’i heqim vetes 200 mln euro. Edhe marrja e borxhit nuk është e lehtë, sepse të marrësh një borxh jo produktiv, është një gjë e gabuar. Planin do e publikojmë nesër. Sot kemi shpallur gjendjen e emergjencës. Gjendja e emergjencës do të thotë se kemi marrë disa fuqi që na jep ligji dhe këtu çështja është që të mbajmë një ekuilibër, për të mos ia ngarkuar konsumatorit familjar krizën, kjo do të ishte më e thjeshta, por do të ishte jo e drejtë. Ajo që ka rëndësi sot është që ne do të bëjmë çmos që të jemi në krah të atyre që ngarkohen më shumë nga kriza. Nëse do ta shohim në një sens pragmatik, që mund të konsiderohet i shëndetshëm nga pikëpamja e sistemit në një nivel tjetër. Sot çmimi i energjisë familjare, është nën koston reale. Sot shteti, subvencionon një pjesë të shkrimit dhe ndërkohë për një pjesë të tërë njerëzish, invalidë, ne paguajmë çdo vit shifra të rëndësishme që çmimi për ta të mos jetë si për ty e për mua. Ata marrin dhe kompensim për energjinë”, tha Rama.