Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur pas goditjes së shkaktuar prej pandemisë COVID-19. Kriza e çmimeve ka qenë më e ndjeshme në muajin nëntor, dhe për pasojë inflacioni ka kapërcyer edhe objektivin e Bankës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave të INSTAT në muajin nëntor indeksi i çmimeve të konsumi ishte 3,1 % nga 1.6% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Inflacioni i regjistruar në nëntor është më i larti që prej vitit 2011.

Ndikimin më të madh në rritjen e çmimeve e ka dhënë grupi i transportit me 8.8% si pasojë e shtrenjtimit të karburanteve, ndjekur nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me rritje prej 5%. Këto janë edhe dy kategoritë që kanë impaktin më të madh në buxhetin familjar, pasi vetëm për ushqime familjet shqiptare harxhojnë deri në 41% të ardhurave mujore.

“Krahasuar me muajin Nëntor 2020, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin ‘Transporti’ me 8.8 %, pasuar nga grupet ‘Ushqime dhe pije joalkoolike’ me 5,0 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,8 %, ‘Komunikimi’ me 3.2 %, ‘Hotele, kafene dhe restorante’ me 2.4 %, ‘Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji’ me 1.7 %, ‘Veshje e këpucë’ dhe ‘Pije alkoolike e duhan’ me 1.6 % secili, ‘Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë’ dhe ‘Shëndeti’ me 0.8 % secili, ‘Shërbimi arsimor’ me 0.5 %. Ndërsa, grupi ‘Mallra dhe shërbime të ndryshme’ u ul me 0.5 %”, thuhet në raportin e INSTAT.

Sa i takon ushqimeve frutat janë shtrenjtuar me 13.9%, vajrat dhe yndyra janë rritur me 8.7% si dhe buka që raportohet se janë shtrenjtuar me 6.6%. Ka pasur rritje edhe tek sheqeri dhe reçeli me 5.5%, zarzavatet 5.1% si dhe qumështi që është shtrenjtuar me 4.3%.

“Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit ‘fruta’ u rriten me 13.9 %, pasuar nga nëngrupet ‘vajra dhe yndyra’ me 8.7 %, ‘bukë dhe drithëra’ me 6.6 %, ‘sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira’ me 5.5 %, ‘zarzavate përfshirë patatet’ me 5.1 %, ‘qumësht, djathë dhe vezë’ me 4.3 %”, citohet në raportin e INSTAT.

Ky nivel inflacioni pritej të arrihej në mesin e vitit të ardhshëm por çmimet duket se janë rritur mbi pritshmëritë e institucioneve. Më herët Banka e Shqipërisë ka thënë se në varësi të çmimeve do të merren edhe masa të tjera sa i takon politikës monetare.

Ndërkohë sipas ekspertëve kjo krizë e çmimeve që ka përfshirë të gjitha shtetet, ka si shkak kryesor kërkesën e lartë për konsum, ndërsa oferta është e ulët, pasi prodhimi stopoi në vitin e kaluar prej izolimit që shkaktoi pandemia.

Nga ana tjetër INSTAT pak ditë më parë raportoi se çmimet e produkteve të importit u rritën me 3.3%, ndërkohë që në tremujorin e tretë energjia elektrike u ble nga jashtë 35% më shtrenjtë se në 2020.