Covid-19 krijoi një krizë të paprecedentë në treguesit e konsumit në vend, duke e ndryshuar tërësisht sjelljen konsumatore. Përqendrimi i blerjeve vetëm në disa kategori si Ilaçe, ushqime dhe rënia kërkesës për mallra dhe shërbime të tjera, pasiguria për të ardhmen dhe humbja e vendeve të punës e çoi konsumin final të popullatës në rënie për herë të parë në historinë e tranzicionit.

Sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2020, konsumi final i popullatës shënoi rënie me -2.34%, niveli më i ulët historik në të dhënat e pas viteve 1990. Edhe në vitin 1997, kur shumë tregues ekonomikë u përmbysën nga trazirat civile që shkaktuan falimentet e skemave piramidale, konsumi final i popullatës shënoi rritje me 3%.

Viti 2020 ishte unik për nga dimensioni i krizës që përfshiu të gjithë globin njëherazi. Kufizimet gjatë karantinës së pranverës 2020 bllokuan tërësisht për tre muaj lëvizjet, të cilat bashkë me rritjen e pasigurive për të ardhmen ulën blerjet rutinë për shumicën e popullatës.

Sipas të dhënave të INSTAT, shitjet në volum në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë të vitit 2020 u uleën me 8,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, në një kohë që pjesa më e madhe e njësive të tregtisë dhe shërbimeve ishin të mbyllura gjatë dy muajve prill dhe maj. Konsumi final i popullatës ra në këtë periudhë me 8%.

Rënia vijoi edhe në tremujorin e tretë të vitit 2020, por me një ritëm më të ulët prej –3.4%, si rrjedhojë e rikthimit në normalitet të një pjese të aktivitetit ekonomik nga heqja e masave të ashpra kufizuese.

Në tremujorin e fundit 2020, konsumi final i popullatës u përmirësua duke u rritur me 1.6% në raport me të njëjtin tremujor të vitit 2020 prej blerjeve më të mëdha në produktet ushqimore dhe në medikamente.

Ecuria historike e konsumit, tregon se rekordi pozitiv i tre dekadave arriti në vitet 2007 dhe 2008 përkatësisht me 16.5 dhe 13.7% në vit.

Konsumi në këtë periudhë u stimulua nga rritja me ritme të larta e pagave në administratën publike dhe pensioneve nga njëra anë dhe rritjes së kreditimit dhe investimeve publike nga ana tjetër.

Por kriza e vitit 2008 e cila fillimisht nisi si një krizë e sektorit bankar, shkaktoi efekte negative menjëherë në konsum.

Pas këtij viti, ritmet e rritjes së konsumit ranë më shumë se dy herë. Kjo rënie u nxit edhe nga një valë e lartë e emigrimit që përfshiu vendin në dekadën e tretë të tranzicionit. Një nga metodologjitë e INSTAT tregon se, prej vitit 2010 deri në vitin 2020, kanë ikur nga vendi më shumë se 600 mijë persona.

Artikulli paraprakZBULOHET NJË PREJ EFEKTEVE ANËSORE TË VAKSINËS, JEP SHIJE METALIKE NË GOJË
Artikulli tjetërÇFARË DIHET PËR MPIKSJET E GJAKUT QË MENDOHET SE JANË TË LIDHURA ME VAKSINËN ASTRAZENECA?