Të ardhurat në buxhet janë rritur me rreth 45 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë në 7-mujorin e parë të vitit. Por efektet e krizës duket se janë ndjerë në muajin korrik, ku nga treguesit e bërë publikë nga Ministria e Financave, vihet re një tkurrje e të ardhurave buxhetore kjo si pasojë direkte e rënies së konsumit.

TË ARDHURAT

Rritja e çmimeve, veçanërisht për produktet e shportës dhe karburantet, u reflektua në periudhën e parë të vitit, duke sjellë më shumë para në arkën e shtetit. Por kjo tendencë rritëse ka ardhur në rënie. Kështu, në muajin korrik të ardhurat e arkëtuara kanë pësuar rënie me 0.3 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritja me shifra dyshifrore e çmimeve nuk ka arritur të kompensojë rënien që ka pësuar konsumi.

“Të ardhurat totale për 7-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 326.7 miliardë lekë ose 104 % të planit të 7-mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhuruat janë rritur me 44.9 miliardë lekë. Ministria e Financave vijon punën për të ruajtur të gjithë parametrat fiskalë, si dhe ritmin e qëndrueshëm të rritjes së të ardhurave”, thuhet në njoftimin zyrtar. Më konkretisht, të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Tatimeve dhe Drejtoria e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 288.5 miliardë lekë, 46.1 miliardë ose 18.9% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 15.9 miliardë ose 5.8% më shumë se plani 7-mujor për vitin 2022.

Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë, të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë. Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 122.6 miliardë lekë, 20.8 miliardë lekë ose 20.4% më shumë se 7-mujori 2021, si dhe 5.4 miliardë lekë ose 4.6 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 7- mujorin e vitit 2022.

Ndërkohë, të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 7-mujorin 2022 u realizuan në masën 166.9 miliardë lekë, 25.3 miliardë ose 17.9% më shumë se 7-mujori i vitit të kaluar, si dhe 10.5 miliardë lekë, ose 6.7% më shumë se plani i 7 mujorit 2022. Sakaq, taksat nacionale, për periudhën 7-mujore 2022 u realizuan në masën 24 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 11.1% më shumë se 7-mujori 2021, si dhe 602 milionë lekë ose 2.6% më pak se plani i përcaktuar për 7-mujorin 2022. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 68 miliardë lekë, 6.1 miliardë lekë ose 9.8% më shumë se 7-mujori 2021, si dhe realizim 104.6 % të planit për 7-mujorin 2022.

SHPENZIMET

Lidhur me shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 7-mujore të vitit 2022, arritën në rreth 311 miliardë lekë, me një realizim në masën 87 për qind të planit të periudhës, ndërkohë që krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 567 milionë lekë më pak. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 7-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 48.8 për qind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 47.1 për qind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.12, datë 29.07.2022.

Shpenzimet korrente dhe ato kapitale, për periudhën 7-mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97 për qind dhe 69 për qind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë, ato janë realizuar, përkatësisht në 52.4 për qind dhe 31.4 për qind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 52.6 për qind dhe 33.3 për qind të planit vjetor. Shpenzimet korrente për periudhën 7- mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 265.6 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.2 për qind më i lartë ose rreth 8.3 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 7- mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 37.5 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 30.2 për qind më i ulët ose rreth 16.2 miliardë lekë më pak. Niveli i suficitit për periudhën 7-mujore sipas Financave rezultoi në rreth 15.7 miliardë lekë nga rreth 45.5 miliardë lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 29.8 miliardë lekë, për periudhën 7-mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

Artikulli paraprakDIALOGU KOSOVË-SERBI, SOT MBAHET TAKIMI I TRETË KURTI-VUÇIÇ NË BRUKSEL
Artikulli tjetërNJERIU MË I PASUR I BRITANISË “TROKET” TE MANCHESTER UNITED, HEDH KANDIDATURËN PËR BLERJEN E KLUBIT