Teksa lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u zotua se do të angazhohet për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, udhëheqësit e partive të tjera të mëdha parlamentare kërkuan sërish votim të hapur për kryeparlamentar, pas takimeve ndaras që patën me presidenten Vjosa Osmani të mërkurën. Osmani i priti Kurtin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj – në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga kriza institucionale. Kosova është pa institucione të reja edhe katër muaj pas mbajtës së zgjedhjeve parlamentare, pasi deputetët kanë dështuar ta konstituojnë Kuvendin të një marrëveshjeje politike, duke qenë se anjëra parti nuk e ka fituar shumicën për të qeverisur e vetme. Në takim, Osmani u bëri thirrje liderëve që “sa më shpejt”, apo brenda afatit 30- ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrijnë pajtueshmëri për konstituimin e Kuvendit, tha Presidenca në një komunikatë pas takimit. Presidenca tha se liderët e partive paraqitën qëndrimet e tyre lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit si dhe interpretimet e tyre për Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, por nuk dha më shumë hollësi. Pas takimit me Osmanin, Kurti – i cili gjithashtu është kryeministër në detyrë i Kosovës – tha se do të bëjë “çmos” për konstituimin e Kuvendit në frymën e bashkëpunimit, për të vazhduar më pas me formimin e Qeverisë së re. Ai nuk tregoi nëse bëri ndonjë propozim të ri, apo ndonjë hollësi tjetër nga biseda me Osmanin.

“Diskutuam gjerë e gjatë, i përmendëm të gjitha elementet përbërëse… Zonja presidente do të ketë takime edhe me përfaqësues të partive të tjera politike. Mbase në fund do të mund të shohim nëse kemi bërë përparim”, tha Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Besoj se duhet t’u japim shans edhe takimeve të tjera, e më pas të shohim se cili është progresi”, shtoi ai para gazetarëve.

Pas Kurtit, Osmani priti kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili tha se e konfirmoi “gatishmërinë” e partisë së tij për të luajtur rolin e saj në gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, “sidomos tani pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Përkundër plot 40 përpjekjeve, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ende ta konstituojnë institucionin ligjvënës. Me një vendim të lëshuar javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar konstituimin e Kuvendit brenda 30 ditësh.

Që nga aktgjykimi janë mbajtur edhe dy seanca në Kuvend, por pa rezultat.

Përfaqësuesit e partive politike fajësojnë njëri-tjetrin për mungesë përgjegjësie.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit, këmbëngul në emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare.

Por Haxhiu, për disa herë me radhë, nuk ka arritur t’i sigurojë 61 votat e domosdoshme për këtë pozitë.

Vetëvendosje insiston në votim të feshehtë, por partitë e tjera janë kundër, ndaj edhe refuzojnë kërkesën e kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për të propozuar përfaqësues për komisionin që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë.

Në fund, Osmani e priti në takim edhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se presidentja ka shqetësim se koha po mbaron shpejt për konstituimin e Kuvendit dhe se ajo u “interesua për qëndrimet tona dhe për mënyrën se si ne mendojmë se Kosova mund të dalë nga kjo bllokadë”.

“Kemi kërkuar të kthehet praktika e votimit që të votojmë dhe nëse kthehet praktika e votimit shpresojmë të votojmë. Shpresojmë se do ta gjejmë një rrugë si të kthehemi të votimi i hapur”, tha Haradinaj.

Artikulli paraprakRAMA NË DIALOGUN PËR ‘BUJQËSINË’: DO VENDOSIM NJË EKULIBËR TË RI PËR ÇMIMIN E NAFTËS!
Artikulli tjetërVALA E TË NXEHTIT PUSHTON EVROPËN, FRANCA DHE ZVICRA MBYLLIN CENTRALET E TYRE BËRTHAMORE