Sot në orën 09:00 kryetari i PD-së Lulzim Basha së bashku me partitë e tjera aleate në opozita jashtë parlamentit do të zhvillojë një takim me kreun e shtetit Ilir Meta në Presidencë për krizën politike. Ftesa u bë nga Ilir Meta, ndërkohë që Basha dhe aleatët e pranuan menjëherë duke u treguar gati për t’u paraqitur në Presidencë një ditë para afatit që ishte vendosur.

Para takimit të sotëm, mbrëmjen e djeshme Basha mësohet se ka zhvilluar një takim me aleatët për qëndrimin që do të mbajnë përpara Presidentit për zgjidhjen e krizës.

Pas opozitës Meta ka planifikuar edhe disa takime mes të tjerash me Këshillin e Ambasadorëve Shqiptarë, një organizatë e pavarur, jo fitimprurëse, themeluar së fundmi nga një grup ish- ambasadorësh, president i të cilit është Besnik Mustafaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Francë dhe ministër i Jashtëm në qeverinë “Berisha”.

Ditët e fundit, Presidenti Ilir Meta është përplasur me mazhorancën për sa i përket plotësimit me anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Pas emërimit pasditen e së mërkurës që lamë pas të Marsida Xhaferllarit, nga Presidenti Ilir Meta si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, ky institucion u fut në ‘ngërç’ për shkak se më parë ishte emëruar anëtarja Arta Vorpsi, automatikisht si e para në listë pas përfundimit të afatit 30 ditorë që presidenti Meta kishte në dispozicion për të zgjedhur.

Ora 09:05

Ka mbërritur në zyrën e kreut të shtetit edhe kreu i PD-së Lulzim Basha, ndërsa pas tij i fundit ka arritur kreu i shtetit, që i ka gjetur të ftuarit në Presidencë. Ilir Meta ka ftuar partitë opozitare jashtëparlamentare për të diskutuar mbi “situatën dramatike në të cilën ndodhet vendi”.

Ora 08:56

Aleatët e Lulzim Bashës kanë mbërritur të parët në Presidencë mëngjesin e sotëm. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi nuk ka preferuar të shkojë vetë duke dërguar ish-kryetarin e grupit, Petrin Vasilin. Gjithashtu shkallët e Presidencës i kanë ngjitur kreu i PAA, Agron Duka, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Mesila Doda nga PDIU, Dashamir Shehi i LZHK-së dhe Arjan Madhi nga PR-ja.

Artikulli paraprakKONFIRMOHET PASUESI I HAHN
Artikulli tjetërRESHJE SHIU DHE MJEGULL/ SI DO TË JETË PARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E SOTME