Kroacia po mban sot zgjedhjet parlamentare, për herë të parë që prej anëtarësimit në Bashkimin Europian në vitin 2013. Fituesit kësaj rradhe do t’i duhet të rimëkëmbë ekonominë e brishtë, por edhe të gjejë një zgjidhje për numrin e madh të emigrantëve që kalojnë në vend gjatë çdo dite. Më shumë se 6.500 qëndra votimi u hapën sot në orën 07:00 të mëngjesit me orën lokale.

Ato do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00 të pasdites, ndërkohë që rezultati do të bëhet i ditur në orën 22:00. Sipas projeksionit të sondazheve paraprake, Koalicioni Patriotik i udhëhequr nga Unioni Demokratik Kroat, do të fitojë me një diferencë të ngushtë prej pesë vendesh në parlament. Kjo forcë politike ka shënuar rritje në parashikime për shkak të politikave radikale kundrejt emigrantëve. Koalicioni demokratik ka premtuar se do të mbyllë kufinjtë dhe se do të vendosë rregulla më të ashpra në kuadër të  menaxhimit të krizës së azilkërkueve.