
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, priti në zyrën e tij znj. Alijahaj, për t’u njohur nga afër me situatën e saj, duke treguar vëmendje dhe ndjeshmëri për rastin. Menjëherë pas takimit, administratori i Njësisë Administrative Bërdicë, Hekuran Gjorreta, vlerësoi mbështetjen e kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci.
Sipas tij, kryebashkiaku tregoi ndjeshmëri dhe mbështetje për këtë rast specifik, si dhe vlerësoi iniciativën e komunitetit për t’i qëndruar pranë kësaj nëne, e cila po përballet me sfida të mëdha. Edhe vetë kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet e tij sociale detaje nga ky takim:
“Është shumë i lavdërueshëm solidariteti i treguar nga komuniteti dhe këshilli i xhamisë në Bërdicë për të ndihmuar me mjete financiare dhe punë e materiale falas për ndërtimin e një shtëpie të re. Një histori prekëse që na kujton se, krahas respektimit të ligjit, ka gjithmonë vend për ndjeshmëri njerëzore dhe solidaritet. Në emrin tim personal dhe në emër të Bashkisë Shkodër, kam dhënë mbështetje të plotë se do të bëjmë çdo përpjekje për të lehtësuar rrugën e kësaj familjeje, duke siguruar mbështetjen maksimale proceduriale dhe institucionale.
Shkodra është vendi ynë i përbashkët dhe askush nuk duhet të ndjehet i vetëm kur përballet me vështirësi.” – shkruan kryebashkiaku në profilin e tij zyrtar.