
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci në facebook:
Pata kënaqësinë të vizitoja sot ambientet e shkollës “28 Nëntori”, një nga shkollat simbol të Shkodrës, ku po kthehet në funksion palestra e munguar prej vitesh. Së bashku me drejtoreshën Albana Bushati dhe stafin mësimor vendosëm përmirësimin e projektit në disa elemente të tij, për ta bërë sa më të plotë dhe praktik për nxënësit.
Gjatë kësaj vizite, u ndalëm edhe te hapësirat e zëna, kryesisht në hyrjen e shkollës, duke vlerësuar nevojën për lirimin e tyre me qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e lëvizjes së nxënësve në orët e mësimit dhe në pushime.
Vizituam gjithashtu disa prej ambienteve të tjera të shkollës që kërkojnë ndërhyrje të vogla, për t’i bërë hapësirat akoma më mikpritëse dhe më të përshtatshme për komunitetin e këtij gjimnazi, krenari e Shkodrës.
Në fund, falënderoj drejtoreshën Albana Bushati dhe gjithë stafin pedagogjik për punën e tyre të suksesshme dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj një prej shkollave elitare të qytetit tonë.






