Kryeministri italian Giuseppe Conte u ka komunikuar ministrave, vendimin për t’i dorëzuar dorëheqjen e tij presidentit Matarella. Në një takim të mbajtur sot paradite, që zgjati 30 minuta, Conte u ka komunikuar ministrave dorëheqjen dhe tashmë pritet që vendimin t’ia komunikojë dhe Presidentit.

Gjatë takimit të sotëm Alfonso Bonafede, Dario Franceschini dhe Roberto Speranza, kanë shprehur sërish mbështetjen e tyre për Giuseppe Conte në Këshillin e Ministrave, pasi Kryeministri komunikoi vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen .

Ndërkohë që në vend ka ende shumë pasiguri të mëdha në lidhje me atë që pret vendin dhe çfarë qeverie do të drejtojë atë në muajt në vijim. E vetmja gjë e sigurt është që do të zhvillohen konsultime të shumta.

Conte mund të marrë një riemërim pa konsultime të tjera, direkt nga Presidenti Mattarella dhe kështu ai mund të krijojë një qeveri të re në bashkëpunim me grupin e të ashtuquajtur të përgjegjshmit.

Në anën tjetër mund të ketë një emër të ri si kandidat për kryeministër, apo edhe atë që duan ta shmangin të gjithë, mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në një periudhë të madhe krize epidiomologjike në vend.

Pas dorëheqjes së ministrave të Italia Viva, kryeministri mori votëbesimin në Dhomën e Deputetëve, por edhe pse siguroi një shumicë të vogël në Senat ajo nuk ishte e mjaftueshme sa për t’i siguruar vazhdimësinë kabinetit qeveritar Conte.