Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapić nuk ia uroi Kosoves 13 vjetorin e pavarësisë. Kjo është vënë re nga analisti Malazez Ljubomir Filipoviç i cili në rrjetin social Tëitter komenton këtë veprim të kreut të ekzekutivit të Malit të Zi. I vetmi në këtë qeveri që e ka uruar pavarësinë e Kosovës ka qënë Zv. Kryeministri Dritan Abazoviç, por as ai nuk e ka bërë në faqen zyrtare të qeverisë, por në rrjetet e tij sociale. Filipoviç thekson në Tëitter se kryeministri Krivokapić as nuk u lodh të dërgonte një mesazh urimi për Kosovën.

Kjo nuk i ka shpëtuar vëmendjes së kreut të komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj që pasi uron pavarësinë thekson se Kosova është republika e dytë shqiptare. Qe prej verës së kaluar, Mali i Zi ka një qeveri të re të drejtuar nga kryeministri Krivokapić, një qeveri e cila sipas shumë analistëve rajonale, ka mbështetjen e Beogradit. Ndërkohë një autobus me turistë kosovarë është sulmuar me gurë mbrëmjen e së mërkurës në afërsi të urës në Berane të Malit të Zi. Raportohet se shoferi i autobusit ka denoncuar rastin në policinë e Rozhajës. Nuk dihet se përse është kryer ky sulm, ndërsa nuk ka raportime për të lënduar. “Gjithçka është një incident sporadik. Një gur, një dritare. Asgjë e organizuar”, tha policia malazeze.

Sulmi ndodhi në një ditë të shënuar, pikërisht 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, për të cilën kreu i qeverisë malazeze nuk bëri asnjë urim. “Absurdi më i madh në tërë këtë rrëfim është se patrulla e policisë në Berane ishte vetëm 200 metra larg vendit të ngjarjes. Dhe kur organizatorët e udhëtimit kanë shkuar ta paraqesin rastin, ata u kanë thënë se mund të vazhdojmë rrugën sepse asgjë nuk mund t’u ndihmojnë”, ka shkruar Semir Kardoviç, konsulent në një Agjenci Turistike në Rozhajë.

Kjo ngjarje tregon edhe njëherë se ende instance të ndryshme por edhe grupime të ndryshme në Malin e Zi, edhe pse kanë kaluar 13 vite nga Pavarësia e Kosovës ende nuk e pranojnë dhe nuk gjejnë qetësi duke krijuar ngjarje të tilla edhe pse tashmë Pavarësia e Kosovës nuk mund të kthehet mbrapsht por përkundrazi do vijojë konsolidimi i këtij shteti.