
Kryeministri Edi Rama në Romë pritet me ceremoni zyrtare nga homologia italiane, Giorgia Meloni.
Kjo pritje vjen në kuadër të mbledhjes së parë të përbashkët mes qeverive Shqipëri–Itali.
Takimi mes dy qeverive, ka në qendër forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh përmes projekteve të përbashkëta në fusha kyçe si ekonomia, energjia, mbrojtja dhe infrastruktura.
Shefi i qeverisë shqiptare më herët njoftoi se do të nënshkruhen 16 marrëveshje bashkëpunimi dhe memorandume, në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë.
AGJENDA
Ditën e enjte, Kryeministri Rama do të takohet me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe më pas së bashku me delegacionin e ministrave të kabinetit që e shoqëron, do të marrë pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.
Në agjendën e ditës së enjte është parashikuar edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.
Në faqen zyrtare të qeverisë italiane u njoftua më herët se Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri që do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni dhe Kryeministri Edi Rama do të mbahet të enjten, më datë 13 nëntor, ora 11:30.
Shqipëria dhe Italia kanë firmosur në vitin 2010 Deklaratën e Partneritetit Strategjik.






