Fermerët në njësinë Ana e Malit janë në momentin më të vështirë si shkak i dëmeve që po shkaktojnë përmbytjet për të tretën herë brenda pak muajsh. Kryeplaku i fshatit Obot, Gregor Pemaj thotë se vijon që institucionet shtetërore të mos kenë asnjë interes për zonat e përmbytura.

Kryeplaku i Obotit ka kërkuar ushqim për bagëtitë për shkak se ndodhen të izoluar pasi rruga e Obotit vijon të jetë e pakalueshme por kërkesa e tij nuk është plotësuar ndërsa kërkon edhe shpalljen e emergjencës civile të pjesshme si e vetmja mënyrë për t’u dëmshpërblyer.

Ndërkohë ka një mënyrë për ta shpëtuar NënShkodrën nga përmbytjet përmes një projekti të viteve ’90 shprehet kryeplaku i Obotit për devijimin e ujrave nga zona e Ashtës në Qafë Shtiqen të Velipojës për t’u derdhur në det.

Njësia Ana e Malit në Shkodër mbetet një prej zonave më të prekura nga përmbytjet me një sipërfaqe tokë prej 1300 hektarësh nën ujë.