Pas reagimeve të shumta nga krerë të partive të ndryshme politike , së fundmi ka reaguar edhe kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia i cili shpreh urimet e tij për popullin shqiptarë sa i përket hapjes së negociatave .

REAGIMII BARDH SPAHISË

Një vendim i shumëpritur, për një rrugë që nisi plot ëndrra dhe shpresë tre dekada më parë!
Lajmi i çeljes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë është padiskutim i shkëlqyer dhe që na gëzon të gjithëve.
Kjo e sotmja është një ditë kthese për vendin, pasi hidhet një hap përpara në rrugën europiane. Mund të quhet pa frikë një tjetër gur kilometrik që vendosim bashkërisht me miqtë europianë.
Meritën kryesore të të gjitha arritjeve e kanë qytetarët e vendit tonë, ata të cilët e kanë dëshmuar prej ditës së parë, shpirtin e tyre europian dhe dëshirën për t’u bërë pjesë e një komuniteti, që gjeografikisht i përkasim, por duam ta përmbyllim edhe në aspekte të tjera që lidhen me bashkëveprimin politik, ekonomik etj.
Festa e sotme është legjitime, por natyrisht përtej lajmit të bukur, kjo është një ditë e vonuar, pasi kjo gjë do të duhej dhe mund të kishte ndodhur shumë vite më parë, sikur ata që qeverisin sot vendin, të kishin vepruar duke mos parë interesin personal, por të mirën e Shqipërisë.
Vendi vjen në këtë ditë falë një sërë reformash dhe arritjesh që patëm fatin të kontribuojmë fuqishëm sa ishim në qeverisje, ku angazhimi dhe serioziteti që treguam solli firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, Liberalizimin e vizave, Hyrjen në NATO, e një sërë arritjesh të tjera që u shënuan përgjatë viteve 2005-2013.
Të tjera sfida dhe një rrugë e gjatë na pret përpara, për të cilën kemi të gjithë detyrimin të punojmë fort për t’i përmbushur të gjitha ato pika që i kërkohen Shqipërisë, për ta kapur trenin e fundit sa më shpejt, e jo duke lënë të na ikin edhe 10 apo 20 vite të tjera.
Urime popullit shqiptarë dhe një mirënjohje e thellë për miqtë tanë të Unionit Europian, që na janë gjendur pranë në çdo kilometër të bërë deri më sot!

Artikulli paraprak“NE JEMI GATI”/ OLTA XHAÇKA NË TRYEZËN ME BRUKSELIN: ÇELJA E NEGOCIATAVE MOTIVUESE
Artikulli tjetërCOVID-19/ MINISTRIA E SHËNDETËSISË: 1846 RASTE TË REJA DHE 2 HUMBJE JETE NË 24 ORËT E FUNDIT