Lojtarët e Vllaznisë, të gjithë sëbashku nuk e kanë nisur stërvitjen pa u takuar me kryetarin e sapozgjedhur të bordit të ri, Shpëtim Quku. Negoaciatori ka qenë kapiteni Ndriçim Shtubina ai i cili ka njoftuar kreun e bordit duke ia bërë të qartë se pa u takuar askush nuk stërvitet.

I gjendur me këtë ultimatum, Quku ka pranuar që të takojë futbollistët e Vllaznisë dhe stafin e saj në fushën sportive “Reshit Rusi”. Lojtarët kanë qëndruar të veshur derisa ka ardhur kreu i bordit. Pas një përshëndetjeje në këtë fillim viti të gjithë sëbashku janë future në dhomat e zhveshjes për të diskutuar. Gjatë bisedës ka patur edhe ngritje zëri për situatën e vështirë dhe mungesën e pagave për afro dy muaj. Lojtarët kuqeblu i kanë bërë të ditur kreut të bordit Quku se kërkojnë një zgjidhje të shpejtë për të ardhmen e klubit. Deri të premten e kësaj jave Vllaznia do të marrë një përgjigje.Në dalje, pas këtij takimi me dyer të mbyllura, kryetari i bordit Shpëtim Quku nuk pranoi që të përgjigjet duke thënë se nuk ka asnjë koment për këtë takim dhe pretendimet e futbollistëve të Vllaznisë me të cilët diskutoi. Sa i përket trajnerit të ri, Quku tha se do të vendoset në ditët në vazhdim.Pas këtij takimi të zhvilluar, kreu i bordit Shpëtim Quku është larguar ndërsa lojtarët e Vllaznisë i janë rikthyer seancave stërvitore duke pritur ditën e premte se çfarë përgjigje do të marrin mbi të gjitha problematikat që ekipi ka aktualisht. Një ditë më parë Vllaznia nisi seancat stërvitore pas pushimeve dhe siç duket pasi kanë mësuar mbi gjendjen e klubit se asgjë nuk ka ndryshuar kanë vendosur kushte dhe ultimatum për bordin e ri dhe bashkinë Shkodër në mënyrë që të mos përsëritet situata e fundvitit të kaluar kur Vllaznia qëndroi për thuajse 4 muaj pa u paguar.